Betimi i Ramës: Unë do heq kufirin e Shqipërisë me Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një intervistë për Top Channel ka folur lidhur me iniciativën e “Shengenit ballkanik. Rama u zotua se do ta heq kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai u pyet për mbështetjen e kësaj iniciative nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe reagimin e Bashkimit Evropian.
“Dëgjoni këtu, Shengeni ballkanik ka qenë dhe dua ta them sepse është historia, një term që për herë të parë e ka përdorur Fatos Nano, kuptohet në një kohë kur u mor si një çmenduri dhe kur mund të konsiderohej jashtë komplet kontekstit të kohës. Kur unë kam folur për Shengenin Ballkanik në fillim kam ngritur gjithë valët e shqetësimeve dhe gjithë zërat kundër, nga Beogradi deri në Bruksel dhe deri në Washington dhe ato që janë dëgjuar në publik janë shumë më pak se ato që kam dëgjuar unë drejtpërdrejt nga Bruskeli dhe Washingtoni, edhe nga partnerët e tjerë sepse shikohej si një provokim për të hapur kufirin me Kosovën”, tha ai
Më tej Rama tha se “tani nuk ka askush kundërshtim që të flitet dhe për këtë. Ju thashë dhe presidenti i Serbisë e ka hedhur hapin e madh dhe të vështirë, në raport me të dhe e ka hequr veton për kufirin për lëvizjen e njerëzve. Tani këta e duan ta heqin atë kufi apo jo? Apo do vazhdojnë ta heqin duke e thënë dhe duke mos e hequr? Apo do ta heqin me valle shpatash? Unë do heq kufirin e Shqipërisë me Kosovën dhe do i jap mundësi shqiptarëve nga dy anët e kufirit që kur të kalojnë Morinën t’ju duket sikur shkojnë nga Prishtina në Gjakovë apo nga Lezha në Durrës, të mos shikojnë aty asgjë dhe mos të rrinë të presin me kilometra e kilometra të tëra. Kjo është shumë e thjeshtë. Nëse do të merremi me përmbajtjen, gjithë përmbajtja e kësaj nisme bazohet jo vetëm në dakordësi, por dhe në interesin e njerëzve të zakonshëm të të gjitha vendeve”.
“Nëse do përdorim simbolet, mitet dhe do të ushqejmë ata që janë të gatshëm që menjëherë të bëhen patriotë në Facebook duke ju thënë si u takuam, kush u takua, pse u takuan dhe duke thënë të gjitha arsyet e gabuara, kjo është përsëri të bësh politikë të jashtme për politikë të brendshme dhe ta bësh politikën e brendshme pre të historive që nuk çojnë asgjëkund. Kjo është mendoj unë”.
Ndërsa, duke folur për bashkimin kombëtar, Rama tha se “bashkimi kombëtar sipas meje vjen ashtu siç e kam thënë dhe vjen vetëm përmes integrimit të rajonit, të rajonit me BE-në, të vendeve tona me BE-në dhe të përfshirjes të një familje të madhe europiane dhe jo si një akt apo si një çuarje përpara e një procesi që bëhet gjithmonë e më dritëshkurtër dhe gjithmonë e më i vjetër dhe gjithmonë e më i kotë. Shqiptarët duhet dhe do të bashkohen si pjesë e proceseve që do të na bashkojnë të gjithëve me njëri-tjetrin si njerëz dhe si qytetarë të këtij kontinenti. Rrugë tjetër nuk ka, nëse duam që ndërkohë njerëzit të rrisin ekonominë e tyre, njerëzit t’i paguajmë shumë më mirë, falë rritjes ekonomike, kushtet për të gjitha shërbimet të përmirësohen duke patur mundësi të investojmë më shumë”.
“Këto janë gjërat për të cilat unë do ta shtyj këtë nisëm përpara me gjithë fuqinë time dhe këto janë gjërat për të cilat jam i bindur që të gjitha vendet kush më shpejt, kush më vonë, por jo me vite, me muaj do t’i bashkohen kësaj nisme”. /TCH/