12-05-2025

Bexhet Xheladini rikonfirmohet si kandidat për kryetar të Dragashit

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Dragash ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, ku diskutoi për çështje të rëndësishme politike dhe organizative në prag të zgjedhjeve lokale. Në këtë mbledhje, Dr. Bexhet Xheladini është propozuar unanimisht si kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit dhe bartës i listës për Kuvendin Komunal.

Takimet u zhvilluan në dy faza, fillimisht u mblodh Kryesia e ngushtë, me pjesëmarrjen e kryetarit të Degës Dr. Bexhet Xheladini, nënkryetarëve, kryetares së Forumit të Gruas dhe kryetarit të Forumit të Rinisë. Më pas, u mbajt mbledhja e zgjeruar me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë, kryetarëve të nëndegëve dhe përfaqësuesve të Kuvendit Komunal.

Mbledhja, e kryesuar nga Dr. Xheladini, trajtoi tri pika kryesore të rendit të ditës:
Analizë e zgjedhjeve të përgjithshme;

Përgatitjet për zgjedhjet lokale;
Të ndryshme.

Në analizën e zgjedhjeve të përgjithshme, u vlerësua puna dhe angazhimi i strukturave të degës, ndërsa u bë thirrje për mobilizim të shtuar në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen së shpejti.
Në vijim, u diskutuan hapat konkretë për përgatitjen e degës për zgjedhjet lokale, përfshirë propozimin për përcaktimin e numrit të kandidatëve për Kuvendin Komunal në nivel nëndegësh.

Kryesia miratoi unanimisht propozimin që Dr. Bexhet Xheladini, aktualisht kryetar i Komunës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Dragash, të jetë kandidati zyrtar i LDK-së për një mandat të ri si kryetar komune.

Ai do të jetë gjithashtu bartës i listës së kandidatëve për Asamblenë Komunale.
Mbledhja u mbyll pa diskutime shtesë në pikën “Të ndryshme”.

Asnjë koment

Comments are closed.