Biden bën thirrje që çdo votë të numërohet, thotë se do të jetë fitues
Joe Biden ka mbajtur një konferencë të shkurtër për media, lidhur me rolin dhe fuqinë e tij politike në zgjedhjet presidenciale.
Ai iu drejtuar gazetarëve nga teatri Queen në Wilminton të Delaware, nga ku i nominuari nga radhët e Demokratëve i shprehu ngushëllime familjarëve të 240 mijë personave që humbën jetën nga coronavirusi.
Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, Biden edhe njëherë u bëri thirrje zyrtarëve të komisionit zgjedhor që të numërohet çdo votë që konsiderohet valide.
“Në Amerikë, vota është e shenjtë. Çdo fletëvotim duhet të numërohet”, ka shtuar Biden.
Ai theksoi se së bashku me Kamala Harris po vazhdojnë “të ndihen shumë mirë” lidhur me rezultatet përfundimtare që pritet të mësohen shumë shpejtë.
“Nuk kemi dyshim se pas përfundimit të numërimit të votave, senatorja Harris dhe unë do të shpallemi fitues”, ka shtuar Biden.