Numri i martesave ka shënuar rënie, gjatë vitit që shkoi në Prizren. Krahasuar me vitin paraprak, numri i lidhjeve martesore gjatë 2018-ës është zvogëluar për mbi 600, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Sipas shënimeve në zyrën e gjendjes civile në Prizren, gjatë vitit që shkoi janë regjistruar 1.530 lidhje martesore, apo 611 më pak se në vitin 2017, kur zyrtarisht kishte 2.141 sosh.
Zakonisht numri më i madh i martesave ndodh gjatë muajve korrik dhe gusht. Kjo është periudhë e pushimeve të bashkatdhetarëve, të cilët punojnë në vendet perëndimore, ndërsa pikërisht koha e qëndrimit të tyre në vendlindje shfrytëzohet edhe për organizimin e numrit më të madh të ahengjeve familjare të gëzimit në këtë rajon.
Koordinatori për sektorin e ofiqarisë që vepron në kuadër të Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ruzhdi Hoxha, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” se gjatë korrikut janë regjistruar 100 raste të celebrimeve, ndërsa në gusht 209 sosh.
Përkundër shifrave zyrtare, nga praktika dihet se një numër i qifteve, celebrimin zyrtar e shtyjnë për më vonë. Kohët e fundit, ndërkaq edhe këtu po preferohet bashkëjetesa, duke iu shmangur martesave.
Në kuadër të celebrimeve zyrtare janë edhe martesat e përziera, përkatësisht të prizrenasve që kanë shtetësi të huaj, por edhe të shtetasve të huaj që martohen me prizrenas apo prizrenase, por që regjistrohen në librat amë.
Një pjesë e martesave kanë të bëjnë edhe në mes të prizrenasve dhe shtetaseve nga Shqipëria. Martesat e kësaj natyre dhe nevoja për celebrim zyrtar ka bërë që disa persona të heqin dorë apo të kërkojnë shtetësinë kosovare.
Përndryshe, Prizreni me rrethinë është i njohur për organizimin madhështor të ceremonive të gëzimit, pasi numri i mysafirëve të ftuar në disa raste në restorantet moderne, ka arritur deri në 700. Sipas përllogaritjeve jozyrtare, kostoja e dasmave mesatare, përfshirë edhe muzikën sillet rreth 10 mijë euro.
Periudha e dasmave llogaritet edhe si koha e qarkullimit më të madh ekonomik, që falë edhe mërgimtarëve, Prizrenit ia jep një “infuzion” të mirë ekonomik./GazetaePrizrenit.net/