Bilanci i terroristëve serbë të vrarë në veri dyshohet se ka shkuar në 10
E diela ishte ditë e rëndë për Kosovën. Zyrtari policor me gradën e rreshterit, Afrim Bunjaku është vrarë dhe tre kolegë të tij janë plagosur si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Shkëmbimet me armë zjarri mes Policisë dhe sulmuesve kanë vazhduar dhe sipas informacioneve të para, numri i terroristëve serbë të vrarë dyshohet se ka shkuar në 10, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tre sulmues janë vrarë dhe një është arrestuar, kurse edhe katër persona të tjerë janë arrestuar për posedim të armëve, municionit dhe radiolidhjeve.
Megjithatë, vet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e konfirmoi mbrëmë se numri i të vrarëve në mesin e terroristëve mund të jetë më i madh.
Sveçla ka thënë se disa prej sulmuesve janë identifikuar si pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, grup që është shpallur terrorist nga Qeveria e Kosovës.