Blinken reagon përsëri, dënon sulmin e huliganëve serb ndaj KFOR-it!
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa menjëherë që ta shtensionojnë situatën në veri.
Blinken ka ftuar qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet e normalizimit të udhëhequra nga Bashkimi Evropian.
“Shumë aleatë shprehin shqetësimin për rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe i dënon fuqishëm sulmet e fundit ndaj KFOR-it, kolegëve tanë italianë dhe hungarezë që u lënduan në atë sulm. Ftojmë Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja”, ka thënë Blinken në konferencë për media të enjten në Oslo të Norvegjisë.
Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se përkrahin procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe Serbisë, por këto tensionime, sipas tij, nuk e ndihmojnë procesin.
“Ne e përkrahim procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe Serbisë, por situata aktuale e pengon dhe s’e ndihmon lëvizjen në atë drejtim”, ka thënë ai.