Bllokohet teatri “Bekim Fehmiu”, aktorët mbi tre muaj pa paga
Aktorët e teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren ankohen se nuk kanë marrë paga për më shumë se tre muaj. Si rrjedhojë, sivjet ende nuk është iniciuar ndonjë projekt i ri teatror, derisa janë stopuar edhe reprizat e shfaqjeve të mëhershme.
Kjo situatë, sipas tyre, ka bërë që Teatri në fjalë të përjetojë krizën më të thellë institucionale, që prej themelimit. Për gjendjen aktuale ata fajësojnë zyrtarët e Ekzekutivit komunal.
Këta të fundit kanë theksuar se aktorët e teatrit “Bekim Fehmiu” nuk janë shërbyes civilë dhe se mjetet për pagesën e aktorëve vijnë nga zbatimi i projektit kapital “Realizimi i politikave zhvillimore për kulturë”, për të cilin paraprakisht duhet të përmbyllen procedurat e prokurimit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Menaxhmenti i Komunës ka shtuar se paraprakisht është dashur që të ndërmerreshin disa hapa sa u përket llogaridhënies dhe raportimit të teatrit “Bekim Fehmiu” kundruall organeve komunale, sikurse që është themelimi i Këshillit Drejtues të Teatrit.
Aktori i këtij teatri, Xhevdet Doda, ka bërë të ditur se janë bërë 95 ditë që prejse ai dhe kolegët e tij nuk kanë marrë paga. “Teatri ‘Bekim Fehmiu” është futur në krizën më të thellë institucionale, që prej themelimit të tij”, ka thënë ai.
Aktori tjetër prizrenas, Alban Qela, ka vlerësuar se situata e aktorëve të teatrit “Bekim Fehmiu” është e mjerueshme.
“Kjo është hera e dytë që po na e bëjnë kështu. Vitin e kaluar na i kanë vonuar pagat për 5 muaj, ndërsa këtë vit kemi hyrë në muajin e katërt pa rroga”, ka deklaruar Qelaj, duke konfirmuar se nga ardhja e Qeverisë aktuale komunale, Teatri është zhytur në krizën më të thellë që prej themelimit të tij para 11 vjetësh.