Boiken Abazi jep dorëheqje nga drejtori i VV-së në Shqipëri
Boiken Abazi, i cili mbante pozitën e drejtorit ekzekutiv të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, sot ka bërë të ditur dorëheqjen nga ky post.
Abazi tha se kjo dorëheqje vije pas rezultateve të tij në zgjedhjet nacionale në Shqipëri, ku nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në Parlamentin e Shqipërisë.
“Kam pritur ta bëj këtë gjë publike, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet”, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij në Facebook.
Më tej, Abazi tha se se ditën e djeshme të zgjedhjeve lokale në Kosovë e kaloi me kryetarin e Vetëvendosjes dhe kryeministrin Albin Kurti.
‘Të dielen e kaluam bashkë me Albinin në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndoqëm mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale nëpër komunat e Kosovës dhe diskutuam gjatë: për të ardhmen e Kosovës e Shqipërisë, nevojën për reforma në institucione dhe ekonomi, progresin shoqëror e mbarëkombëtar që nuk përjashton asnjë qytetar, çështje të ndryshme organizative të Lëvizjes sonë, e deri te raportet gjeopolitike në botë”.
Kurse, rezultatin e zgjedhjeve të 17 tetorit, Abazi i sheh si pozitive për Vetëvendosjen, pasi sipas tij, kjo parti nga vendi i tretë në zgjedhjet lokale të vitit 2017, tash është e para në nivel vendi.
“Ndërkohë në Kosovë, nga vendi i tretë në zgjedhjet lokale të vitit 2017, VETËVENDOSJE! tash është e para edhe me votën popullore nëpër komuna në nivel Kosove. Sfidat nuk janë të vogla para 12 balotazheve pas katër javësh, por jemi me shpresë e të angazhuar si rrallë herë më parë. E ardhmja është e Lëvizjes, e shqiptarëve”, ka shkruar Abazi.