Bota kujton masakrën e Srebrenicës në prag të Nobelit për Handken
Reagime të shumta kanë ardhur për ceremoninë e nesërme të çmimit Nobel, ku çmimin pritet ta marrë shkrimtari kundërthënës austriak Peter Handke.
Përveç bojkotit të ceremonisë që e kanë paralajmëruar disa shtete, lidhur me të kanë shkruar edhe personalitete të ndryshme.
Gazetarja e CNN-it, Christiane Amanpour në një postim në Twitter, duke iu referuar deklaratave të Handkes se “asnjëherë nuk e beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë”, ajo ka shkruar se ishte atje dhe të gjithë e dinë se kush është fajtor, transmeton Koha.net.
“Unë isha atje. Ne të gjithë e dimë kush është fajtorë”, ka shkruar ajo.
E për çmimin Nobel për Handken ka reaguar edhe Samantha Power ish-ambasadore në Kombet e Bashkuara.
Ajo thotë se bota së shpejti do të mësojë përmasat e gjenocidit në Srebrenicë të kryer nga ushtarët serb të Bosnjës.
“Më 7/14/95 unë e kam paraqitur një histori në Boston Globe nga Sarajeva që përmbante raportet fillestare nga masakra e Srebrenicës. Bota së shpejti do të mësojë përmasat e gjenocidit të kryer nga ushtarët serb të Bosnjës, të cilët vranë 8 mijë burra dhe djem mysliman. Fakt i pamohueshëm, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se deri tani ceremoninë e çmimit Nobel e kanë bojkotuar Kosova, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Bosnja edhe Afganistani.