Brohoritjet antishqiptare në RMV, Prokuroria në Kumanovë nis hetime për të parë se a ka “vepër të mundshme penale”

Në ndeshjen, e cila ishte në kuadër të fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë maqedonase.
Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut gjatë kësaj ngjarjeje sportive u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej 1.8 milion banorësh.
Ngjarja ka nxitur reagime jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë dhe Shqipëri, vende me shumicë shqiptare.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili ishte i pranishëm në ndeshje, i dënoi të hënën “thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe”.
Duke folur për mediat, Mickoski tha se, ndonëse ishte në sallë gjatë ndeshjes, “nuk i kishte vënë re” thirrjet e tifozëve, duke pretenduar se bëhej fjalë për “një grup të vogël njerëzish”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.