Burri në Malishevë kapet me gruan pasi i publikoi disa video në TikTok
Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift nga fshati Llozicë i Malishevës, pasi një grua e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunën fizike e psikike që ka ushtruar ndaj saj.
Gazeta Sinjali mëson se viktima ka raportuar se burri i saj pas një konflikti verbal, ka ushtruar presion ndaj saj, por kohë më parë edhe e ka sulmuar fizikisht, si pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se motiv i rastit të fundit dyshohet se kanë qenë disa video që viktima i kishte publikuar në TikTok dhe e kanë mllefosur burrin e dyshuar.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti për “Dhunë në familje”, kurse gruaja është dërguar në strehimore.