Bytyqi thotë se do të gjenden arsyet pse Kosova dështoi në PISA
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një konferencë për media ku janë publikuar rezultatet e testit “PISA 2018” ka thënë se rezultatet nuk janë ato që kanë pritur.
Bytyqi ka thënë se për këtë rezultat nuk duhet fajësuar individë por duhet të gjenden shkaqet e vërteta që quan në këtë rezultat. Është arsyetuar se pas marrjes së detyrës si ministër kanë pasur vetëm 3 muaj afat për përgatitjen e këtij testi, raporton Koha Ditore.
Sipas tij, përgatitjet që i kanë bërë për këtë test për 3 muajt e parë pas marrjes së detyrës kanë qenë vetëm teknike.
“Kemi disa arritje pozitive ne matematikë dhe lexim. Kemi rënie tek shkenca. Cilat janë arsyet e këtyre rezultateve na duhet kohë të analizohen raportet e secilit nxënës pjesëmarrës dhe raportet e shkollave”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse Qeveria e ardhshme e merr seriozisht këtë test, do të shënohen rezultate më të mira.
Fatmir Elezi nga divizioni për vlerësim, standarde dhe monitorim në MASHT ka prezantuar rezultatet e PISA-s.
Ai ka bërë të ditur se në vitin 2018 këtij testi i janë nënshtruar 5.058 nxënës nga 211 shkolla të Kosovës.
“Në lexim jemi të 4 nga fundi. Në matematikë të 5 nga fundi, në shkencë jemi të 4 nga fundi. Rezultatet më të ulëta kanë qenë në shkencë. Gjimnazet kanë performuar më mirë. Vajzat kanë performuar shumë më mire se djemtë në gjuhë, edhe në shkencë”, ka thënë Elezi.