25-11-2024

Certifikohet lista e votuesve, përfshirë edhe mbi 102 mijë nga diaspora

KQZ-ja ka miratuar listën e votuesve nga jashtë. Në listë janë mbi 102 mijë votues që janë verifikuar gjatë ditëve të kaluara. Dhe gjithsej me të drejtë vote në këto zgjedhje janë 1.794.862. 

Ndërkohë, është refuzuar kërkesa e VV-së për shtyrje të afatit të pranimit të votave që vijnë nga jashtë. Sipas planit operacional, KQZ-ja do të numërojë vetëm votat që vijnë deri më 13 shkurt.

Ndërkohë, para se të certifikohej lista, anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka folur për tri çështje që kanë të bëjnë me listën e aplikuesve nga jashtë.

“Kam dy tri çështje. E para janë 11.164 aplikues që janë refuzuar për shkak të pamundësisë të verifikohet identiteti apo kriteri i zotësisë juridike, apo aplikacionet kanë qenë të panënshkruara. Nuk mund të sanksionohet aq rëndë njeriu për një gabim teknik, për një harresë që të nënshkruajë. Pastaj janë refuzuar 470 aplikues se kanë harruar ta shënojnë numrin e telefonit, e ne po themi se ndalim verifikimin me telefonata tash. Cila është ideja e telefonatës nëse e bëjmë këtë. E treta është se janë 146 persona me mbiemra të ndryshëm që janë dërguar nga një adresë. Ka persona që janë të kurorëzuar, por kanë mbiemra të ndryshëm, kështu që është dukuri. Duhet verifikuar të gjitha. Duhet të kenë të drejtën e ankesës të gjithë”, ka thënë Kurteshi. “Janë edhe 290 aplikues që janë refuzuar, pasi që nëpërmjet telefonatës kanë thënë se nuk kanë aplikuar ata”.

Është miratuar fletëvotimi për zgjedhjet e parakohshme të Kosovës.

Anëtarët e KQZ-së me shumicë votash kanë miratuar fletëvotimet. Kishte ankesa nga Arianit Elshani i PDK-së, se në fletëvotim nuk është përfshirë slogani i partisë./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.