25-11-2024

Çfarë deklaroi Remit në gjykimin ndaj ish-Presidentit Thaçi dhe të tjerëve?

Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, ka deklaruar se zyrtarët për informim me publikun i ka caktuar vetë ai.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Mustafa e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Clare Lawson, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Lawson e ka pyetur atë nëse i kujtohet një dokument, ku sipas saj jepen udhëzime si të veprohet me gazetarët, vëzhguesit dhe diplomatët.

Në lidhje me këtë, dëshmitari Mustafa tha se i kujtohet se mirësjellja me gazetarë dhe vëzhgues është diskutuar brenda radhëve të UÇK-së, por se dokumenti si dokument nuk i kujtohet.

Paraprakisht, ai pohoi se nënshkrimi në atë dokument ishte i zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Tutje, sipas prokurores Lawson, paragrafi dy i atij dokumenti ka të bëjë me vëzhguesit, e që ajo lexoi se aty thuhet se shtabi i përgjithshëm ka caktuar personin për informim të ndërsjellët.

Mirëpo, dëshmitari Mustafa tha se për zonën operative të Llapit, zyrtarët për informim me publikun i ka zgjedhur ai, e jo Shtabi i Përgjithshëm, e që sipas tij kanë qenë Ismet Çakiqi, Lirak Qelaj, Hysen Fazliu dhe eprorë të lartë të zonës si shefi i Shtabit, zëvendësi i tij si dhe komandantët e brigadave.

Ndërkaq, kur atij iu paraqit një dokument tjetër ku thuhej se Fatmir Humolli është caktuar ndërlidhës për zonën e Llapit, dëshmitari tha se “është emri që më së paku është marrë me këtë çështje, mund të jetë caktuar por unë s’e paskam ditë këtë gjë”.

Ndryshe, në fillim të dëshmisë së tij, dëshmitari Mustafa ka deklaruar se në UÇK, ka qenë nga ushtar deri në pozitën e komandantit të Zonës Operative të Llapit.

Po ashtu, ka thënë se ka dhënë intervista në vitin 2002, procesin e vitit 2003, përsëritjet më 2009 dhe 2013 dhe procesin e Apelit në vitin 2015, si dhe intervistë edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Lidhur me intervistën në ZPS, ai tha se iu ka dhënë mundësia të rishikojë deklaratat e tij, por që nuk ka pasur pse të ndërhyjë dhe të bëjë korrigjime në to.

“Jo s’kam pas pse të ndërhyj, pse të mendoj ndryshe”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se beteja e parë në të cilën kishte marrë pjesë ai në Zonën Operative të Llapit ka qenë në Kaçandoll në shtator të vitit 1998, kur tha se armëpushimi ka ndodhur me sa i kujtohej në tetor të ‘98-ës.

 

Ish-komandant Remi jep betimin si dëshmitar në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

(Përditësuar, 13:30)-Rrustem Mustafa, ish-komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, në cilësinë e dëshmitarit të 13 me radhë ka dhënë betimin e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Mustafa i njohur si Remi gjatë luftës, po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe leximi i deklaratës së betimit në gjykatore u bë në seancë publike.

Për dëshmitarin Mustafa,  është paraparë të merret në pyetje 12 orë nga prokuroria, ndërsa nga ekipet mbrojtëse 23 orë, kurse 1 orë nga mbrojtësi i viktimave.

Pyetjet nga ana e prokurorisë ndaj dëshmitarit Mustafa është duke i bërë prokurorja Clare Lawson.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 12-të vazhdon dëshminë duke u përgjigjur në kundra-pyetjet e mbrojtjes

Dëshmitari i dymbëdhjetë me radhë (me kodin 04337) po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar, ka filluar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Selimit, avokatit Geoffrey Roberts, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Roberts ka kërkuar që fillimisht seanca të kalojë në sesion privat.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se dëshmitarin do fillojë ta marrë në pyetje fillimisht mbrojtja e Selimit, më pas ajo e Thaçit, Veselit dhe në fund e Krasniqit.

Ndryshe, të pranishëm në sallën e gjyqit janë Thaçi, Veseli dhe Selimi, kurse Krasniqi është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes, me lejen që është e miratuar nga trupi gjykues.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill 12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në GjilanBudakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.