Fitorja e Shaqir Totajt në balotazhin e 9 nëntorit, për kryetar të Prizrenit nuk ishte befasi për ata që i kanë ndjekur zhvillimet e fushatës. Marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së, e arritur para balotazhit, tashmë dha frytet e saj politike, në formën e ndarjes së drejtorive komunale, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Sipas burimeve të Gazetës e Prizrenit, LDK-ja, e cila i dha mbështetje kandidatit të PDK-së në garën kundër Artan Abrashit të Vetëvendosjes, është shpërblyer me gjashtë drejtori komunale në administratën e re.

Për momentin, dihet se marrëveshja parashikon që LDK të udhëheqë Drejtorinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, Drejtorinë e Urbanizmit dhe Drejtorinë e Shëndetësisë, tri fusha të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën qytetare dhe zhvillimin urban të komunës.
Ndërkohë, për tre drejtori të tjera, sipas burimeve tona, bisedimet janë lënë të bisedohet ndërkohë. Jozyrtarisht flitet se në tryezë janë Mirëqenia Sociale, Bujqësia, si dhe një sektor i ri administrativ, që pritet të formohet gjatë mandatit të ri.

Nga ana tjetër, nuk dihet ende se çfarë pozicioni do të ketë KDTP-ja, e cila e ka mbështetur PDK-në në zgjedhje. Burime të afërta me partinë turke pohojnë se mund të vazhdojë ta mbajë Drejtorinë e Kadastrës, por vendimi përfundimtar pritet pas konstituimit të qeverisjes lokale.
E paqartë mbetet edhe roli i Duda Baljes dhe i Nismës Socialdemokrate, të cilat po ashtu kanë kontribuar në mbështetjen e Totajt. /Gazeta e Prizrenit.




