23-11-2024

Çfarë na mësoi virusi?

Nga Entela Resuli

Gjëja e parë që mësuam nga izolimi ishte se burri i kujt gatuan më mirë dhe si. Pamjet e pjatave në instagramin e tyre ishin si ato të shefave më të mirë të kuzhinave. Paska burra këtu, jo llafe!

Pamë ballkonet panoramike të “vipave” dhe se çfarë shohin ata kur zgjohen nga gjumi. Ja pse disa janë më të frymëzuar se të tjerët për të punuar. Është ndryshe të shohësh një mur sapo hap dritaren tënde dhe ndryshe qytetin me Dajtin përballë.

Kuptuam se kush janë ata që udhëtuan lehtësisht drejtë qetësisë që të fal deti në kohën kur pjesa më e madhe e popullsisë ishte e izoluar. Zili e madhe kjo… ta shohësh tjetrin teksa i afrohet detit nga ekrani i telefonit ndërsa t’i i afrohesh… frigoriferit.

Ndjemë se frika më e madhe që kemi vjen nga e panjohura. Menduam në një moment se, virusi po na shfaqet edhe ne, pasi mund ta kemi takuar, në bravën e derës, në butonin e ashensorit, në qesen e marketit, edhe pse me njerëzit tregohesh i kujdesshëm.

Kuptuam se ata që ishin të pasur para virusit do të mbeten të tillë edhe pas, ndërsa të varfëritë, vetëm do të varfërohen. Disa që presin të fillojnë punë, më e pakta kanë humbur dy tre rroga, ndërsa të tjera nuk e kanë më as punën që kishin…

Pamë se politika e shijoi këtë moment, mori pak pushim nga sharjet e përditshme që ishin mësuar të jepnin në parlament dhe emisionet televizive. I duhej kjo gjendje atyre! Ishin lodhur shumë!

Kryeministri Edi Rama u kënaq si asnjëherë më parë, me urdhra, dekrete, vendosje oraresh: ti dil, ti mos dil, ti do vuash, por nuk do vdesësh për bukë…Ma bëni hallall. Është luftë!

Pamë se shou vazhdon… qeset që u faleshin disa familjeve në nevojë, me një vaj, një sheqer, një oriz, ishin gjëja me e shëmtuar e këtyre ditëve. Mirë që më jep diçka sa për të kaluar radhën, por mos më denigro duke më nxjerr në fotografi, të lutem!

E mbi të gjitha kuptuam se, në këtë vend nuk na mbron askush, përveç vetes dhe Zotit! noa

Asnjë koment

Comments are closed.