24-11-2024

Çfarë pësoi Spitali i Prizrenit nga masat e dhunshme në vitin 1991?

Për shkak të represionit dhe gjendjes së padurueshme, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), e në kuadër të saj  edhe S.P e shëndetësisë, më 3 shtator 1990 organizuan grevë gjenerale për të tërhequr vëmendjen e opinionit për gjendjen e rëndë në institucionet e Kosovës, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Pas kësaj në Qendrën Medicinale (QM) të Prizrenit, punëtorët serbë dhe ata nga minoritetet e këtushme nënshkruan peticionin për vënien e masave të dhunshme. Me nënshkrimin e tij nga ana e 100 punëtorëve (13 % e të punësuarve), Kuvendi i Serbisë mori vendim që me 4 prill 1991 të vendos masat e dhunshme në QM të Prizrenit. “Masat e dhunshme futen pa verifikim të gjendjes faktike”, thuhej në vendimin përkatës.

Drejtori i emëruar serb, në përcjellje të policisë të armatosur, mëngjesin e kësaj date hyri befas, pa paralajmërim në zyrën e drejtorit gjeneral prim.dr. Durak Rada-pneumfiziolog, të cilit ia komunikuan vendimin se “prej ditës së sotme nuk jeni drejtor”, e duke treguar për emërimin, në vend të tij të serbit Mihajlo Zivgareviq.

Më pas drejtoria e dhunshme filloi ta aplikoi skenarin e diskriminimit, dhe që në vitin e parë janë shkarkuar në mënyrë të paarsyeshme kryeshefat dhe shefat shqiptarë, pastaj largimi i mjekëve shqiptarë prej stazhit të praktikantit, ndërprerjen e specializimeve, transferimin e specializantëve nga qendrat klinike-universitare në ish-republikat jugosllave për në Beograd, Nish e Novi Sad. Po ashtu nisi edhe largimi i mjekëve specialistë, atyre të praktikës së përgjithshme, kuadrit të mesëm shëndetësorë, punëtorëve administrativë, etj.

Kështu janë larguar 85 punëtorë shëndetësorë, pjesa më e madhe e të cilëve nga shtëpia e shëndetit. Më vonë, pastaj ka pasur edhe largime të tjera, por jo në formë grupore.

Para vendosjes së masave të dhunshme, Qendra Medicinale në Prizren kishte 1.175 të punësuar, me këtë strukturë nacionale: shqiptarë 638 (54 %), serbë 233 (19.8 %), turq 113 (9.6 %), myslimanë 114 (9.7%) malazezë 17 (1.7 %), romë 50 (4.20 %) dhe të tjerë 17 ose 1.7 %. ( Revista “Medica” fq. 203, viti 1995).

Rezultate imazhesh për helmimet e nxenesve ne prizren

Largimi i kuadrit shqiptar nga spitali

Në periudhën nga viti 1991 deri 1995 nga Qendra Medicinale (QM) e Prizrenit ishte larguar një pjesë e kuadrit shqiptar, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Kështu ishte vepruar në janar të vitit 1994 edhe ndaj Dr. Selman Muçajt ish-drejtor i institucioneve shqiptare paralele, i zgjedhur prej Kolegjiumit profesional të mjekëve në Prizren. Pas ankesës së tij, Gjykata kishte vendosur për rikthimin e tij që u realizua në shtator 1997.

Me fillimin e intervenimit të NATO-së ndaj caqeve serbe të Milosheviqit, mjekët e kirurgjisë dhe të degëve të saj: urologji e ortopedi ishin dërguar në pushim të gjithë, përveç disave nga minoritetet.

Dr. Gem Shukriu, e dr. Hatim Baxhaku janë larguar në fillim të prillit. Qëllimi i serbëve ka qenë largimi i të gjithë mjekëve të degëve kirurgjike, profilit më e nevojshëm në kohë lufte.

Me 11 prill 1999 me arsyetimin “duhet të shkoni në pushim vjetor” janë larguar edhe Dr. Selman Muçaj,urolog,  dr. Xheladin Kryeziu, ortoped,  e dr. Rrahim Ymeri, kirurg. Për këtë nuk kishte ndonjë vendim me shkrim, por vetëm komunikim gojarisht.

“Në pyetjen time se për çfarë pushimesh vjetore bëhej fjalë në kohën e luftës më të ashpër? dr. Duško Todorović, më tha se “ky është vendim prej së larti”, kujton dr. Muçaj.

Në vazhdën e gjendjes së shëndetësisë së Prizrenit, gjatë viteve ’90-ta, nesër sjellim shkrimin “Mobilizimi sindikal i punëtorëve shëndetësorë në Prizren gjatë viteve ’90-ta./GazetaePrizrenit.net/

Shkrimin e djeshëm me titull “Pranverat e sfidës gjatë viteve ’90-ta në Spitalin e Prizrenit” mund ta gjeni në linkun:

Pranverat e sfidës gjatë viteve ’90-ta në Spitalin e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.