Hysen Durmishi, zv/ministër në Ministrinë e Infrastrukturës ka folur për projektin e rrugës Prizren-Tetovë, duke thënë per Indeksonline se projekti varet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut.
“Aktualisht jemi në fazën para nënshkrimit të marrëveshjes për financimin e tunelit. Jemi pajtuar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut që tunelin ta bëjmë të përbashkët. Ndërkohë, rrugët deri te tuneli, pjesën e Kosovës e përfundojmë ne, ndërsa pjesën në territorin e Maqedonisë së Veriut e përfundon Qeveria atje. Ne e kemi shpallur tenderin për ndërtimin e rrugës nga dalja jug e autostradës “Ibrahim Rugova” e deri te tuneli, që kostoja e përafërt është diku 35 milionë euro dhe jemi në procedurë të prokurimit. Gjatë këtij muaji është afati kur dorëzohen ofertat, bëhet vlerësimi dhe pastaj nënshkruhen kontratat. Po shpresoj që shpejt të nënshkruhen kontratat dhe të nisin punimet, që ta përfundojmë ne pjesën tonë si qeveri.”
Durmishi thotë se procedurat për ndërtimin e tunelit janë paksa më të ndërlikuara, por që nuk kanë munguar takimet dhe bashkëpunimi ndërqeveritar midis dy vendeve.