23-11-2024

Çfarë sollën zgjedhjet e 6 tetorit në Prizren?

Shkruan: Qazim Morina

Zgjedhjet e 6 tetorit qenë në favor të fytyrave të reja në Prizren. Kjo komunë do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës nga 15 deputetë, përfshirë edhe ata nga minoritetet.

Subjekti më i votuar në këto zgjedhje edhe në Prizren doli Vetëvendosja,  duke dyfishuar numrin e deputetëve, nga dy në katër. Për herë të parë në emër të VV-së deputet do të jenë Artan Abrashi (kryesues i KK-së), Hajrullah Çeku e Yllza Hoti, ndërsa nga të vjetrit me ta do të jetë edhe Arbër Rexhaj. Pas një mandati, kësaj radhe Drita Millaku nuk arriti t’i fitoi votat e duhura.

Votuesit prizrenas, si subjektin e dytë radhitën PDK-në.

Ndonëse, doli e dyta për nga numri i votave të fituara,  PDK arriti të dërgoi vetëm një deputet, për dallim nga dy subjektet tjera të mëdha VV e LDK, që morën nga katër. Nga 3 deputetë sa kishte në legjislaturën e kaluar,  PDK nga Prizreni tashmë ka vetëm Kujtim Gashin, që kandidoi për herë të parë. Pjesë e Kuvendit më nuk janë Nait Hasani, që ka shkuar ambasador në Shqipëri, si dhe Nezir Çoçaj, që pati dhënë dorëheqje. Vota të mjaftueshme, ndërkaq nuk mori ish-deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj, e cila ishte pjesë e dy legjislaturave të fundit.

LDK në këto zgjedhje doli mirë edhe në Prizren, duke marrë katër deputetë apo një më tepër seç kishte. Deputetëve të mëparshëm Anton Qunit, Driton Selmanajt e Haxhi Avdylit, nga Prizreni tashmë i është bashkuar edhe ish-deputeti Hatim Baxhaku, që u rikthye pas një legjislature të munguar.

Sa i përket partive të tjera më të vogla, më keq ka pësuar Nisma Socialdemokrate. Ky subjekt nuk ia doli të bëhet pjesë e Kuvendit, ndërsa pozitën e humbën Zafir Berisha e Albulena Balaj-Halimaj.

AAK sikur edhe herën e kaluar, as tash nga Prizreni nuk ka dërguar asnjë të zgjedhur të popullit.

Derisa nga partitë e komuniteteve pakicë, del se te ato boshnjake dhe rome, nuk ka ndryshime, risitë janë tek partia e turqve KDTP. Për herë të parë pas 20 vjetësh nuk ka fituar Mahir Jagxhillar, sikurse që deputete nuk do të jetë edhe Mufera Shinik. Ata janë zëvendësuar nga Fikrim Damka e Fidan Zhilta.

Nga subjekti boshnjak VAKAT sërish janë dy deputetët:  Duda Balje e Rasim Demiri, e nga NDS vazhdon Emilia Rexhepi. Lëvizje nuk ka as te Partia Rome e Bashkuar, të cilën sërish do ta përfaqësojë Albert  Kinolli.

Pra, ndryshimet nga zgjedhjet e fundit janë të dukshme edhe në Prizren. Në frymën e ndryshimeve, KDTP një ditë me parë ndërroi edhe kryetarin shumëvjeçar Mahir Jagxhillar, që nuk ka kandiduar. Në vend të tij u zgjodh Fikrim Damka, njëherësh edhe deputet.

Në anën tjetër, Duda Balje njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ka mbajtur në koalicionin VAKAT,  duke treguar për medie se një vendim të tillë  e ka marrë pasi që për një periudhe të gjatë është prishur harmonia brenda partisë dhe agresiviteti brenda kishte arritur kulmin në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit.

Nga e tërë kjo situatë e re del se ndryshimet janë të dukshme edhe në Prizren, qendrën e dytë pas Prishtinës. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.