23-11-2024

Çfarë solli nata e parë e festivalit “Oda e Llapushës”? (foto)

Nata e parë e festivalit, ka filluar me tingujt e këngës “Baresha” e kënduar nga Nexhmije Pagarusha, pasi ashtu edhe sikur është bërë traditë, secili edicion i festivalit, fillon me tingujt e një prej perlave të muzikës popullore apo folklorike nga Malisheva.

Fotografia e Komuna Malishevë

Krahas shumë qytetarëve dhe zyrtarëve të qeverisë komunale të Malishevës, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, zv/ministrat Vesel Krasniqi dhe Arbëreshë Krasniqi, si dhe një numër i madh i artdashësve dhe kultivuesve të folklorit dhe të artit, nga të gjitha trevat shqiptare.

Fotografia e Komuna Malishevë

Festivalin e ka hapur, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nën përkujdesjen e të cilit edhe mbahet Festivali Folklorik “Oda e Llapushës”. “Ky festival ka nisur për të mbarë dhe kështu po vazhdon. Malisheva është djepi i folklorit dhe rapsodëve dhe kjo traditë do të vazhdojë, që të kultivohet trashëgimia dhe kultura jonë e pasur”, tha Begaj, i cili i përshëndeti të gjithë të pranishmit, e sidomos mërgimtarët, pasi edhe festivali mbahet në kuadër të shënimit të ditëve të mërgatës, si dhe pjesëmarrësve ju uroj suksese.

Fotografia e Komuna Malishevë

Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj,e cila është edhe drejtoreshë e festivalit, pasi i ka përshëndetur të gjithë, tha se “Malisheva është treva më emblematike e folklorit shqiptar, Malisheva është e këngës, e luftës dhe e lirisë, prandaj kënga asnjëherë nuk është ndalur dhe as nuk do të ndalet, pasi është burim i pashtershëm i folklorit, i kulturës, i artit dhe i traditës”, tha drejtoresha Kryeziu-Ramaj.

Festivali vazhdon sonte, me natën e dytë, ndërsa të gjitha prezantimet konkurruese do të vlerësohen nga juria profesionale, në përbërje nga Prof.Dr.Zymer Neziri, prof.Dr.Adem Zejnullahu dhe prof.Dr.Sami Piraj, njohësit më të mirë të folklorit shqiptar.

Asnjë koment

Comments are closed.