23-11-2024

Çfarë solli takimi LDK-Haskuka rreth konkursit për drejtorë shkollash në Prizren?

Përfaqësuesit e LDK-së në Prizren janë takuar sot me kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka, ku njëra ndër temat kryesore të diskutimit ka qenë kërkesa për korrigjimin e konkursit të përsëritur për drejtorë shkollash.

Në fakt edhe nga foto duket se takimi ka qenë në formë të një dreke pune, në të cilin kanë marrë pjesë edhe dy drejtorë komunal, Fatmir Memaj (LDK) dhe Visar Shehu (VV).

LDK që është në koalicion me LVV-në dhe partnerët tjerë, përbën subjektin e dytë për nga numri i asamblistëve,pasi ka vetëm një më pak se sa Vetëvendosja!

Pas shpalljes së listës së fundit me emrat e drejtorëve të shkollave, përfaqësues të LDK-së kanë reaguar duke shfaqur pakënaqësi, për siç kanë thënë dominimin e kandidatëve nga Nisma Socialdemokrate, që edhe drejton sektorin e arsimit.

I pyetur për qëndrimin pas takimit me Haskukën, kryetari i degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, tha për portalin “GazetaePrizrenit.net” se tek Haskuka ka parë përkushtimin e tij për t’u marrë  seriozisht me çdo aludim të çdo shkeljeje eventuale në konkurse, gjithmonë duke respektuar transparencën dhe normat ligjore.

“Sa i përket rezultateve të konkursit të fundit, mbetet të shihet a ka vërejtje serioze nga kjo periudhë e ankesave”, ka thënë ai.

Pas këtij takimi, duket se drejtuesit e LDK-së kanë një qëndrim më të butë sa i përket deklarimeve për dalje nga koalicioni me VV-në, për të cilin folën, menjëherë pas shpalljes së emrave për drejtorë./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.