21-05-2025

Çfarë të bëni nëse nuk po mund të hyni në Facebook apo Instagram?

Llogaritë në rrjete sociale si Facebook apo Instagram janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme – qoftë për komunikim me miqtë, për punë apo për shërbime të ndryshme. Prandaj, humbja e qasjes në to si pasojë e ndonjë sulmi kibernetik, mund të jetë shqetësuese për cilindo.

Çfarë duhet të bëni nëse nuk keni më qasje në llogarinë tuaj?

Nëse ende keni qasje në numrin e telefonit apo e-mailin që është i lidhur me llogarinë, atëherë mund të përpiqeni ta ndërroni fjalëkalimin përmes opsionit “Forget password?” (Keni harruar fjalëkalimin?) në faqen hyrëse të Facebook-ut apo Instagram-it. Platforma do t’ju dërgojë një mesazh me udhëzime në e-mail për të vazhduar më tutje.

Në rast se nuk keni më qasje në e-mailin e lidhur me llogarinë, përdorni një pajisje në të cilën më parë keni qenë të kyçur dhe vizitoni faqen: facebook.com/login/identify. Aty mund të vendosni një e-mail apo numër telefoni që mund të jetë përdorur më herët. Nëse hasni vështirësi, klikoni në opsionet si “S’kam qasje më këtu?”, “Kam harruar llogarinë” apo “Rikthe” dhe ndiqni instruksionet për të dëshmuar identitetin tuaj dhe për të risetuar fjalëkalimin.

Nëse dyshoni se llogaria është hakuar, vizitoni: facebook.com/hacked ose instagram.com/hacked nga një pajisje ku keni qenë të kyçur më herët dhe ndiqni hapat për ta rikthyer qasjen.

Çfarë duhet të bëni pasi ta riktheni llogarinë?

Ndërroni fjalëkalimin: Zgjidhni një fjalëkalim të gjatë, unik dhe të fortë. Shmangni fjalëkalime të zakonshme që mund të gjenden lehtë.

Aktivizoni verifikimin e dyfishtë: Në seksionin “fjalëkalimi dhe siguria”, shtoni një shtresë të re mbrojtjeje përmes aplikacioneve të autentifikimit. Kjo rrit ndjeshëm sigurinë.

Ruani kodet e sigurisë: Sigurohuni që kodet rezervë të autentifikimit t’i mbani në një vend të sigurt.

Aktivizoni njoftimet për qasje të panjohura: Kjo do t’ju njoftojë çdo herë që dikush përpiqet të hyjë në llogarinë tuaj nga një pajisje ose lokacion i panjohur.

Pastroni kontaktet e dyshimta: Fshini “miqtë” që nuk i njihni ose që duken të dyshimtë për të shmangur rrezikun e sulmeve të ardhshme.

Asnjë koment

Comments are closed.