Çfarë thonë Ramë Vataj e Ismet Temaj rreth përzgjedhjes së rektorit të UPZ-së?
Por, kjo ka ndodhur pas ankesës që rektori aktual e ka bërë në gjykatë, raporton KTV.
Ramë Vataj konteston përzgjedhjen e Temajt në pozitën e rektorit, derisa Gjykata në Prizren ka vendosur në favor të tij këtë fazë.
Kjo Gjykatë, ka marrë vendimin për masën e përkohshme të sigurisë, duke e shtyrë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues, i cili e ka zgjedhur rektorin e ri.
Këto detaje bëhen të ditura në vendimin e Gjykatës së Prizrenit, të cilin e ka siguruar KTV-ja.
Masa e sigurisë vlen deri në momentin kur Gjykata do të dalë me një vendim të ri.
Në padi, Vataj pretendon se ka pasur shkelje të procedurave gjatë përzgjedhjes së rektorit të ri.
“Para se të fillojë raundi i dytë i votimit për zgjedhjen e Rektorit, në mbledhje kanë mbetur vetëm 4 anëtarë të Këshillit Drejtues. Sipas statutit të Universitetit, për t’u mbajtur mbledhjet e Këshillit Drejtues nevojitet një kuorum prej 5 anëtarëve, ku së paku 4 prej tyre duhet të jenë me të drejtë vote”, thuhet në këtë dokument.
Pjesë e Këshillit Drejtues, pos Parim Kosovës, janë edhe dy persona të tjerë e që janë anëtarë të NISMA-së, Bedri Muhadri, anëtar i kësaj partie në Gjakovë, dhe Isak Hoxha, anëtar i NISMËS në Malishevë.
Në maj, ky këshill zgjodhi Ismet Temajn rektor, ani pse nuk morën pjesë në votim edhe 3 anëtarët e tjerë.
Rektori aktual, Ramë Vataj, thotë se vendimi është politik, sepse zgjedhja bëhet vetëm nëse i takon Nismës, parti prej së cilës vjen Ministri i Arsimit.
Andaj, thotë se nuk do të konkurrojë më për këtë pozitë, derisa Ministria e Arsimit do të vazhdojë ta ketë këtë përbërje.
KTV-ja ka kontaktuar edhe me rektorin e ri, Ismet Temaj, të cilit i është pezulluar pozita dhe ai ka thënë se është i befasuar me vendimin e gjykatës.
“Unë kam kontaktuar me disa shokë gjykatës. Kurrë kësi vendimi nga gjykata nuk ka pasur”, ka thënë Temaj, në një përgjigje për KTV-në.