24-11-2024

Çfarë thotë Haskuka për konkursin e ri për drejtorë shkollash?

Pas një kohe, që nga anulimi i dy konkurseve të mëparshme për drejtorë të shkollave, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë një njoftim rreth ecurisë së konkursit të ri, jo vetëm duke vazhduar ta vlerësojë si transparent, por edhe siç ka thënë masave të reja në kontekstin e përmirësimit të gjendjes në arsim, transmeton “GazetaePrizrenit.net.”

Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor 2018/19, ndërsa procesi i konkursit për drejtorë, është në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për intervistim dhe deri në mbylljen e tij, marrë parasysh edhe afatin për ankesa të kandidatëve, duhen më tepër se një muaj.

Haskuka, në faqen e tij të facebook-ut ka shkruar se DKA-ja ka përmbyllur konkursin për paraqitje të kandidaturave për drejtorë në shkollat e komunës, në të cilin shumica e aplikantëve kanë hyrë në lista për intervistim.

“Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në Prizren po bëhet me transparencë të plotë, në mënyrë që të kthehet besimi i humbur qytetar kundrejt sistemit arsimor. Pos udhëzuesit për përzgjedhje të drejtorëve, i cili është përpiluar për herë të parë prej komunës sonë (që përcakton mënyrën e vlerësimit të kandidatëve për drejtorë të shkollave dhe hapjen e procesit ndaj monitoruesve nga shoqëria civile, sindikata e arsimit, këshilli i prindërve dhe nga përfaqësues të medieve), janë ndërmarrë edhe 5 masa shtesë (të publikuara më herët), të cilat do ta sigurojnë përmirësimin të theksuar të gjendjes në arsim”, ka shkruar ai.

Sa i përket masave shtesë, kohë më parë, Haskuka ndër tjera pat njoftuar për një definim të saktë të rolit të organizatave monitoruese. “Në proces janë të kyçur organizatat joqeveritare, sindikata e arsimit dhe përfaqësuesit e medieve në cilësinë e monitorimit të procesit dhe nga ta pritet ta respektojnë rolin e tyre të kufizuar sipas rregullores”, pat shkuar ai.

Kryetari po ashtu ka njoftuar se pos organizatave monitoruese, zyra e tij do të ketë një monitorues i cili enkas do të raportojë në baza ditore për mbarëvajtjen e procesit.

Në këtë kontekst ai ka paralajmëruar edhe shtimin e monitoruesve të pavarur dhe kredibil nga shoqëria civile, e që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar do të ofrojë asistencë në këtë drejtim./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.