25-11-2024

Çfarë thuhet në raportin e ekspertizës nga Instituti Zviceran për vdekjen e Astrit Deharit ?

Vrasja ose vetëvrasja e Astrit Deharit ka qenë një ndër temat më të ndjeshme në opinionin publik gjatë pesë viteve të fundit. Sot, u shënua një episod i ri shumë domethënës në këtë tregim që po zbehet si i tillë dhe nga i cili të gjithë duket se po shpëtojnë pa therrë në këmbë.

Në këtë episod të ri u bë zbardhja e ekspertizës shtesë të Institutit zviceran nga ana e Prokurorisë së Kosovës.

Ky institut ishte lavdëruar shumë nga avokati Tomë Gashi, që pretendonte se do të zbardhte të vërtetën e plotë për pretendimin e tij se aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari ishte vrarë e jo vetëvrarë.

Por, ekspertiza shtesë është shumë më e rëndësishme se sa që u prezantua në opinionin publik shkruan Gazeta Nacionale.

Madje, edhe ekspertët zviceranë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Llozanë gjetën se analizat e ADN-së nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveç atij të Astrit Deharit.

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali), nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në të.

Për një gjë të tillë, ka reaguar avokati Tomë Gashi, por më butë, shumë më butë se që ishte pritur.

Gashi ka kërkuar që Prokuroria të tregojë nëse ka marrë gjurmë të ADN-së nga të burgosurit tjerë dhe nga i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren ku kishte vdekur Astrit Dehari.

Avokati nuk merret fare me atë që thuhet në ekspertizën shtesë se analizat e ADN-së “nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç atij të Astrit Deharit.”

Kjo nënkupton se nuk ka pasur as profile të panjohura të ADN-së përveç profilit të Astrit Deharit, e të cilat do të duhej të merreshin nga ana e Prokurorisë.

Gashi vazhdon të insistojë që Astrit Dehari është vrarë duke akuzuar Prokurorinë Speciale – megjithëse jo drejtpërdrejtazi – për manipulim.

Avokati madje as nuk ka akuzuar Prokurorinë Speciale për keqpërkthim të ekspertizës nga frëngjishtja çka do të kontestonte kuptimin e asaj që thuhet në ekspertizë.

Prokuroria Speciale ka deklaruar se përkthimi nga frëngjishtja ka ardhur në zyrën e tyre më 8 prill, dhe jo para 12 ditëve.

Në anën tjetër, akuza më kredibile e z. Gashi ishte se kjo ekspertizë nuk është dërguar te ai dhe te familja e të ndjerit.

Nacionale në vazhdim do të flasë me ekspertë mjeko-ligjor për të kuptuar më shumë mbi rëndësinë e ekspertizës shtesë.

Çfarë tha Instituti Zviceran?

Siç njofton Prokuroria Speciale e Kosovës, raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe.

Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton:

Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”.

Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit”.

Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit në raport thuhet se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të riekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.

Ndërkaq, bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale thotë se do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim. / Gazeta Nacionale /

Asnjë koment

Comments are closed.