Cili është varianti më i mirë për hekurudhën Durrës-Prishtinë, përgjigjet Aliu
Kosova dhe Shqipëria janë dakorduar për ndryshim të trasesë së hekurudhës Durrës-Prishtinë. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka dhënë arsyet pse u vendosë për trasenë që kalon kah Shkodra-Gjakova, dhe afatet se kur mund të filloj puna për realizimin e këtij projekti kombëtarë.
Ai thotë se kjo zgjedhje ishte teknike duke mos pasur ndonjë arsye të veçantë, teksa shton se kishin disa opsione të mundshme.
Ndërsa, si opsionin më të mirë Aliu e përmend luginën e Drinit, pasi sipas tij kjo lidhje është mjaft interesante për shkak se e lidh edhe portin e Tivarit në këtë korridor.
“Nuk ka pasur ndonjë arsye të veçantë, është çështje teknike. Kanë qenë disa opsione të mundshme. Dy kryesoret kanë qenë që një të shkojë paralel me autostradën që i ka pasur elementet teknike të vetat, opsioni i tjetër është ky që e shfrytëzon luginën e Drinit për të dalë në Shkodër përmes Gjakovës ku në kuptimin e lidhjeve dhe kyçeve me korridoret, ky opsion është mjaft interesant për shkak se e lidh edhe portin e Tivarit në këtë korridor”.
“Pra edhe porti i Durrësit, edhe porti i Shëngjinit, edhe porti i Tivarit do t’i kenë rrugët më të shkurtra për gjithë regjionin nëse e shfrytëzojnë këtë linjë hekurudhore, që i bie se mallrat që vijnë nga porti i Tivarit të kalojnë përmes Shqipërisë. Shqipëria të bëhet vend transit, Shkodra të jetë një pikë prej ku mallrat mund të orientohen, dhe Prishtina të jetë qendra e ndarjes, shpërndarjes apo porti i thatë prej ku në të gjithë regjionin në të dyja drejtimet mund të lëvizin mallrat e po ashtu edhe udhëtarët”, tha Aliu, për RTK.
Aliu ka folur edhe për projektet infrastrukturore brenda Kosovës që janë në zhvillim e sipër dhe po ashtu njoftoi se sot u nënshkrua projekti me Maqedoninë e Veriut për tunelin Prizren-Tetovë.