24-11-2024

“Cimeret e mia, sa herë mbeteshin pa para, dilnin e kërkonin para për kinse të sëmurët”

Është shpeshtuar dukuria e kërkimit të parave nga qytetarët me pretendim se po kërkohen për persona të sëmurë. Gjatë një hulumtimi të “Radio Kosovës”, është hasur në individë të ndryshëm të cilët në emër të kërkim lëmoshës për persona me sëmundje të rënda, kërkojnë para, qoftë nëpër rrugë apo edhe banesa të qytetarëve.

Një rast i tillë është hasur në një ndërtesë në kryeqytet, ku një vajzë kërkonte para dhe thotë se është studente në Fakultetin Ekonomik në UP, ndërsa paratë po i kërkon për një vajzë të sëmurë. Në kërkesën e “Radio Kosovës” për prezantim të dokumentacionit të të sëmurit dhe vajzës që po kërkonte lëmoshë, ajo reagon ashpër dhe largohet.

“Kishte hapur ajo, familja, xhirollogari, se thënë të drejtën në bankë ka xhirollogari të hapura shumë për raste të tilla, si për invalidë, njerëz të sëmurë, por shumica as nuk shkojnë dhe nuk japin para. Për këtë ne kemi dalë personalisht, të paktën sa të kanë mundësi banorët. Por edhe ne vetë nga xhepi kemi dhënë si studentë.

Pesë ose dhjetë euro nuk i prishin punë askujt në familje”, thotë vajza që po kërkonte para.“Ti nëse je kaq e sigurt, pse nuk e ofron komplet dokumentacionin për vajzën e sëmurë, që ka nevojë për ndihma dhe letërnjoftimin tënd?”, i thotë “Radio Kosova”.“Të gjitha i kemi. Por është puna kështu, për kësi njerëz mosbesues më mirë mos ta zgjas më shumë”, thotë ajo.

Ndërkohë një burim i “Radio Kosovës”, përkatësisht studente në njërin nga fakultetet në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se disa bashkëbanuese të saj, sa herë që kanë mbetur pa para, kanë dalë për të grumbulluar të holla në emër të kërkimit për ndonjë të sëmur të rrejshëm.“I kam pasur disa vajza që kemi banuar bashkë, në një banesë në Prishtinë. Kur mbeteshin pa të holla, dilnin nëpër rrugë e nëpër banesa të ndryshme duke kërkuar para kinse po i dërgojnë për të sëmurë”, tha vajza me inicialet R.D.

Se në kryeqytet po ndodhin dukuri të tilla, e konfirmon për “Radio Kosovën” edhe shefi i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova. Ai tha se me këtë rast bëhet edhe shkelje ligjore, sepse mbledhja e parave, nëse nuk është në kuadër të legjislacionit në fuqi, atëherë paraqet edhe vepër penale.“Kemi raste kur kemi hetuar, sidomos në qytetin e Prishtinës.

Nuk kanë rezultuar për raste të krimit të organizuar, por kanë rezultuar të jenë raste të cilat keqpërdoren nga individë të caktuar. Normalisht policia i trajton këto. Unë i ftoj të gjithë qytetarët kushdo që është viktimë ose edhe dëshmitar, ose ka informacione për këto, të raportojë në polici. Ne i trajtojmë këto raste, sepse është diçka që e dëmton qytetarin ose manipulon me qytetarin”, ka thënë Shillova.Po ashtu nga Departamenti i Hetimeve në Policinë e Kosovës është bërë e ditur që disa raste të tilla janë trajtuar edhe nga Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me qenie njerëzore./gazetablic.com/

Asnjë koment

Comments are closed.