Çka po zihet në LDK: Kush janë kandidatët e tjerë për kryetar?
Situata në Lidhjen Demokratike të Kosovës ‘po vlon’ me të madhe.
Pas dështimit fatal në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, foli për dorëheqje në natën që dolën rezultatet.
Megjithatë, me të kaluar ditët, heshtja kishte kapluar këtë parti. E kjo heshtje e mbledhur për ditë të tëra, duket se rrezikon ‘të shpërthejë’.
Gazeta Nacionale ka mësuar se është nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka marrë ‘nën sqetull’ Lumir Abdixhikun.
Siç i kanë thënë burimet e afërta me zhvillimet Nacionales, ‘Gazi’ është zyrtari më i lartë në Lidhjen Demokratike të Kosovës që është kthyer në organizatorin e mbrojtjes së Abdixhikut.
Burimet i kanë thënë Nacionales se Muhaxheri është njeriu më insistues që i pari i LDK-së të mso largohet.
“Gazi po thotë që nuk ka nevojë me ndërru krytearin”, kanë thënë burimet e afërta me zhvillimet për Nacionalen.
Megjithatë, nëse Lumir Abdixhiku do të largohet apo jo, mbetet të shihet nga mbledhjet që do t’i kenë me Kryesinë apo edhe kryetarët e degëve.
Nëse Abdixhiku largohet, Nacionale ka mësuar se janë tre emra që mund të jenë kandidatë për kryetar të LDK-së: Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti dhe Arben Gashi.

Sipas burimeve të gazetës, këta janë tre emrat që deri tash shihen si pretendentë për të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këto nuk janë zhvillimet e vetme. Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka paralajmëruar se do të dorëhiqet nga pozita e sekretarit të partisë.
Në anën tjetër, Kujtim Shala po kërkon zgjedhje të përgjithshme.
Mbetet të shihet se si do të përfundojë kjo situatë brenda LDK-së, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në vetëm dy ditët e fundit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është përfshirë në një shkëmbim të rëndë akuzash me gazetarë, të cilët i ka quajtur edhe ‘mercenarë’.
Abdixhiku që dikur kritikonte Kurtin për gjuhën ndaj mediave, pas zgjedhjeve po e përdorë të njëjtën.
“Mercenarët u lajmëruan vet. Pa i përmendur. Siç thotë populli, u vetëlajmëruan ata me mizë mbas veshi. Dhe në lajmërimin e tyre, treguan se si mendojnë. Mendojnë se të gjithë sillen rreth krimit, sepse aty rrotullohen vet. Dikush rrotullohet aq larg sa mbërrinë dhe Aeroportin e Vlorës. Mendojnë se të gjithë shiten, sepse vetë janë për shitje. Mendojnë se të gjithë frikësohen, sepse vetë jetojnë nga frika. Ky është botëkuptimi i tyre. Nuk do ta lejojmë këtë botëkuptim të shtrihet në LDK as si fjalë, as si mendim, edhe më pak si ndikim”, ka shkruar Abdixhiku.
