01-05-2025

Çka thuhet në Dosjen e Prokurorisë ndaj tre ish-gardianëve të arrestuar nën dyshimet për krime lufte?

Boban Toniq, Mirsad Ibro dhe Nadica Cepkenoviq janë personat të cilët u arrestuan nën dyshimet për “krime lufte” gjatë ditës së djeshme, më 21.04.2025, nga Policia e Kosovës.

Toniq, Ibro dhe Cepkenoviq u arretuan nën dyshimin se në cilësi të gardianëve-zyrtarëve korrektues në Burgun e Prishtinës, Qendrën Korrektuese në Lipjan, gjatë vitit 1998-1999 kanë marrë pjesë në maltretimin, rrahjen, torturimin fizik dhe psikik të të ndaluarve shqiptarë.

KALLXO.com ka siguruar Dosjen e Prokurorisë Speciale ku është kërkuar masa e paraburgimit ndaj Boban Toniq, Mirsad Ibro dhe Nadica Cepkenoviq.

Në Dosjen e Prokurorisë, në Pikën 1 të saj thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Boban Toniq dhe Mirsad Ibro, në cilësinë e personave zyrtarë-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999 në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre Burgjeve, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë – duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, deri në alivanosje; duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Tutje në Dosje të Prokurorisë thuhet se siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike; i kanë kanosur seriozisht për jetë, e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike.

Me këto veprime Toniq dhe Ibro sipas Prokurorisë “kishin kryer veprën penale ‘krime lufte kundër popullatës civile’”.

Në Pikën 2 të Dosjes së Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura Nadica Cepkenoviq, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane e Burgut të Prishtines – paralelja në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998- 1999, në Burgun e Prishtinës – paralelja në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtare të tjera të kësaj Paralele, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare – duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje; duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Tutje në Dosje thuhet se siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në të gjithë trupin, dhunë psikike; i kanë kanosur seriozisht për jetë, e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike.

Me këto veprime Cepkenoviq sipas Prokurorisë “kishte kryer veprën penale ‘krime lufte kundër popullatës civile’”.

Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ndaj të dyshuarve duhet të caktohet masa e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të pranisë së të njëjtëve në procedurë penale.

Sipas Prokurorisë Speciale janë plotësuar kriteret për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve, siç është dyshimi i bazuar, pasi që thuhet se mbështetet në prova të mjaftueshme, të cilat tregojnë qartë veprimet inkriminuese në bashkëkryerje ndaj të burgosurve në Burgun e Lipjanit.


Tutje në Dosje thuhet se këto vërtetohen edhe me deklaratat e të dëmtuarve-dëshmitarëve.

Prokuroria Speciale ka vlerësuar tutje se ekziston rreziku potencial që të pandehurit nëse lihen në liri, do të arratisen pasi kanë shtetësi, vendbanim dhe hyrje-dalje në shtetin e Serbisë.

Po ashtu, në Dosje thuhet se ekziston rreziku potencial që të pandehurit do të ndikojnë te dëshmitarët, të dëmtuarit dhe të bashkëpunojnë me bashkëkryerësit e tjerë, për faktin se ky rast ende gjendet në fazën e hetimeve, ngase ende nuk janë intervistuar të gjithë dëshmitarët të cilët mund të dëshmojnë në këtë çështje penale.

Tutje në Dosje thuhet se Prokuroria ka analizuar dhe vlerësuar edhe masat e tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë, mirëpo masat e tilla janë të pamjaftueshme, duke pasur parasysh natyrën e veprës, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale dhe sjelljen e të pandehurve pas përfundimit të luftës e deri më tani.

Gjykimet për krimet e luftës në Kosovë

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.


Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në këtë link. /KALLXO.com /

 

Asnjë koment

Comments are closed.