Çmimet e konsumit më 2021, më të larta për 3.4%
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK) për vitin 2021, ku thuhet se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2021, ishte më i lartë në një mesatare prej 3.4 për qind, krahasuar me vitin 2020.
Sipas ASK-së, publikimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) i harmonizuar sipas konceptit ndërkombëtar është zbatuar nga muaji janar i vitit 2015, ndërkohë që përmban seritë kohore në baza vjetore për periudhën 2002 – 2021, të rillogaritur me vitin bazë 2015=100.
“Norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2021 ishte 3.4%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2021 ishte më i lartë në një mesatare prej 3.4 për qind, krahasuar me vitin 2020. Ngritje e indeksit të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2021 është vërejtur te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (4.3%); mish (1.4%); qumësht, djathë dhe vezë (3.8%); vajra dhe yndyra (22.9%); perime (4.1%); sheqer dhe ëmbëlsira (2.2%); kafe, çaj dhe kakao (2.4%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.9%); pije alkoolike (2.7%); duhan (3.7%); gaz (8.7%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (5.9%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (1.4%); pajisje shtëpiake (3.1%); produkte farmaceutike (2.3%); blerje e automjeteve (1.3%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (1.7%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (17.6%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (5.3%); shërbime të tjera lidhur me pajisjet personale të transportit (4.1%); shërbime për transport (2.0%); shërbime telefonike dhe të telefaksit (18.4%); pajisje audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informative (2.7%); pushime të organizuara (4.3%); shërbime hoteliere (18%); kujdes personal (1.5%); dhe shërbime financiare (4.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.7 për qind në IHÇK. Ndërsa, rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2021 është vërejtur te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-9.3%); energjia elektrike (-4.3%) – për arsye se në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0.0061 cent për 1këh më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, Covid -19, Nr. 07/L-016, neni 15, me një ndikim të përbashkët prej (-0.3 për qind) në IHÇK”, thuhet në njoftim.