Çmimi i martesës në Shqipëri
Dikur, kohë më parë, ka qenë zakon që të vendosej një çmim për martesën në Shqipëri, sipas të cilit i ati i vajzës kishte të drejtë të kërkonte një shumë të madhe parash nga dhëndrri.
Nga ky rregull, përveçse varfëroheshin gjithnjë e më shumë familjet, rridhte edhe një e keqe më e madhe, të gjithë tentonin t’i fejonin vajzat e tyre nëpër shtëpi që ofronin më shumë para dhe nga kjo shumë që merrte familja, shumë pak përdoreshin për pajat e tyre.
Ndaj, kisha katolike në veri të Shqipërisë, kishte nxjerrur një ligj që e ndalonte çmimin e martesës, por shpesh ky ligj edhe shkelej.
Ndaj, siç tregon At Zef Valentini, në vitin 1895 në Lezhë u bashkuan katër fshatra dhe vendosën për një ligj të ri që ndalonte që të kërkohej më shumë se 10 napolona për fejesën e vajzës dhe në rast se ky ligj do të shkelej, të dënuar do të ndëshkoheshin. /fotografitëqëkanëbërëhistorinë/ KultPlus.com