25-11-2024

Çmimi i naftës në Kosovë deri 1.50 euro, sa po fitojnë kompanitë e derivateve 

Në shumicën e pikave të shitjes së karburanteve në Kosovë, çmimi për një litër naftë sillet nga 1.44 euro deri në 1.50 euro.

Çmimet ndryshojnë varësisht nga pikat e shitjes, lokacioni apo edhe qyteti.

Në një pikë të shitjes së derivateve, në komunën e Shtimes, një litër naftë shitej për 1.34 euro.
Për të gjitha kompanitë, marzha e fitimit me pakicë është 12 centë në litër, kurse me shumicë 2 centë.

Përcaktimi i fitimit është bërë në bazë të një vendimi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë(MINT) të datës 28 korrik.

Vendimi do të jetë në fuqi për një muaj.

Por, jo të gjitha kompanitë po e respektojnë këtë vendim të MINT-it.

Për këtë çështje, ndaj katër kompanive që shesin produkte të naftës, MINT-i dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), kanë iniciuar procedura gjyqësore.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se për cilat kompani bëhet fjalë, porse për gjobën ndaj tyre do të vendosë gjykata.

“Vendimi po e mban nën kontroll çmimin e naftës. Përndryshe, gjatë këtij muaji do të kishte çmime shumë më të larta të këtij produkti në treg”, thanë zyrtarë të MINT-it për Radion Evropa e Lirë.

Nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës kërkojnë që Qeveria të mos i vazhdojë masat mbrojtëse, duke argumentuar se ato vështirësojnë operimin e kompanive të këtij sektori.

Kreu i kësaj shoqate, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se tavani i lejuar i fitimit prej 12 centësh për litër është i pamjaftueshëm, pasi, sipas tij, po pamundëson rritjen e pagave për punëtorët dhe mbulimin e shpenzimeve të nevojshme të operatorëve.

Ai propozon që marzha të jetë 16 centë.

“Çmimi i derivateve të naftës nuk varet nga tregtarët, por nga bursa ndërkombëtare. Ne kemi çmimet më të lira në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën më të lirë për 20 centë. Ne dëshirojmë të kemi çmime më të lira, por çmimi i derivateve të naftës nuk varet nga tregtarët, por nga bursa ndërkombëtare”, tha ai.

Nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, më 15 gusht, ka rënë në rreth 85 dollarë për fuçi.

Çmimi, sipas dëshirës

Por, në kompaninë “EuroKos Petrol” që gjendet në komunën e Shtimes, çmimi për një litër naftë (më 15 gusht) kushtonte 1.35 centë, kurse benzina 1.37 centë.

Diellon Kelmendi, menaxher në këtë kompani, thotë se me këtë çmim fiton deri në 12 centë. Kjo shumë, thotë ai, është e mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e nevojshme në kompaninë e tij.

“Kemi pak telashe nga konkurrenca, po na bëjnë presion pse po i mbajmë çmimet e lira, ndryshe mirë po funksionojmë. Nuk është keq, asnjëherë nuk e kalojmë marzhën e fitimit prej 12 centësh. Ne punojmë me fitim edhe 4-5 centë”, thotë ai.

Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë, Autoriteti i Konkurrencës, nga 31 korriku deri më 3 gusht, ka monitoruar 60 pika të shitjes së karburanteve në gjashtë rajone të Kosovës. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thonë se gjatë inspektimeve janë vërejtur çmime të ndryshme varësisht nga kompanitë.

Kompanitë, të cilat kanë ndikim të ndjeshëm në treg kanë çmime më të larta, e që sipas deklarimit të tyre lejon zbritje nga 3 centë deri në 5 centë për litër, kurse kompanitë e vogla nuk kanë çmime zbritëse, çmimet e tyre janë fikse, dhe i kanë çmimet më të ulëta se sa kompanitë, të cilat kanë ndikim më të madh në treg, sepse marzha e tyre e fitimit sillet nga 7 deri 10 centë për litër.

Pavarësisht çmimeve të ndryshme, zyrtarë të Autoritetit të Konkurrencës pohojnë se nuk kanë ndonjë arsye për hetime momentale.

Kosova është e varur nga importi i karburanteve të naftës. Çmimi vendoset varësisht nga furnizimet në rajon apo në Evropë.

Përveç çmimit të blerjes, në Doganën e Kosovës, kompanitë importuese paguajnë akcizë në vlerë 0.35 euro për një litër naftë, pastaj këtu shtohet Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) prej 18 për qind, transporti dhe shpenzimet tjera.

Qeveria e Kosovës edhe në muajin mars të vitit të kaluar kishte vendosur tavan të çmimeve për shitjet me pakicë dhe shumicë të derivateve të naftës.

Atëbotë, në Kosovë një litër naftë ishte shitur për 1.68 euro, ndërkaq çmimi i benzinës ishte 1.67 euro dhe çmimi i naftës së papërpunuar Brent kishte arritur nën 130 dollarë për fuçi.

Asnjë koment

Comments are closed.