Çmimi i rrymës drejt ndryshimit, ZRRE hap rrugën për tarifat e prillit 2026
Në raportin zyrtar të datës 12 dhjetor 2025, të nënshkruar nga kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, rregullatori u ka kërkuar operatorëve kryesorë të sektorit – KEDS (Operator i Sistemit të Shpërndarjes), KESCO (Furnizues me Shërbim Universal) dhe KOSTT (Operator i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut) që të dorëzojnë të dhënat financiare dhe operative për vitin 2025, si bazë për përcaktimin e tarifave të reja që pritet të hyjnë në fuqi më 1 prill 2026.

Dokumenti i ZRRE-së shënon fillimin formal të procesit tarifor, nga i cili zakonisht burojnë ndryshimet e çmimit të rrymës.
ZRRE thekson se qëllimi i këtij procesi është që të Hyrat e Lejuara Maksimale të operatorëve të jenë në përputhje me kostot reale dhe parashikimet financiare. Kjo nënkupton se dallimet mes kostove të planifikuara dhe atyre të realizuara gjatë vitit 2025 do të reflektohen në tarifat e vitit 2026.
Çfarë duhet të raportojë KEDS dhe çfarë do të vlerësojë ZRRE
Sipas orarit indikativ, KEDS dhe KOSTT duhet që deri më 23 janar 2026 t’i dorëzojnë ZRRE-së të dhënat për:
humbjet e energjisë elektrike;
shpenzimet operative (OPEX);
kostot e bartshme;
faktorët korrigjues të të hyrave;
si dhe çdo përshtatje tjetër të paraparë me Rregullat e të Hyrave.

Pas analizimit të këtyre të dhënave, ZRRE do të përcaktojë nëse kostot e raportuara janë të arsyeshme dhe të justifikuara, apo nëse një pjesë e tyre nuk do të pranohet për t’u reflektuar në tarifa.
Në praktikë, raportimi i humbjeve të larta teknike dhe komerciale apo i rritjes së shpenzimeve operative ka qenë një nga arsyet kryesore që operatorët të kërkojnë të hyra më të larta, të cilat më pas përkthehen në tarifa më të shtrenjta për konsumatorët.
Një pjesë e rëndësishme e këtij njoftimi lidhet me Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO). ZRRE rikujton se, bazuar në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme, shërbimi universal nuk mund të aplikohet pa kriter.
Sipas rregullatorit, të drejtën e shërbimit universal e gëzojnë vetëm konsumatorët familjarë dhe ndërmarrjet e vogla, me më pak se 50 punonjës dhe qarkullim vjetor ose bilanc jo më shumë se 10 milionë euro.
ZRRE kërkon që ky interpretim i Gjykatës Supreme të reflektohet drejtpërdrejt në aplikimet tarifore të ardhshme të KESCO-s, duke sinjalizuar se zgjerimi i paarsyeshëm i shërbimit universal nuk do të tolerohet si bazë për rritje të kostove dhe tarifave.

