24-11-2024

Ç’vendosi gjykata ndaj menaxherit të prokurimit në Malishevë, që akuzohej për korrupsion

Gjykata Themelore në Gjakovë ka liruar nga akuza për korrupsion Nuhi Shalaj, menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Malishevës.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të hënën nga gjykatësi Drilon Haraçia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjatë shqyrtimeve gjyqësore, ku janë mbajtur një mori i shqyrtimeve gjyqësore dhe janë administruar provat, gjykata ka ardhur në përfundim se për të akuzuarin Nuhi Shalaj nuk ka mund të vërtetoi se ka kryer veprën penale, për shkak se fillimisht nuk kemi dashjen e kryerjes së veprës penale, po ashtu nuk është vërtetuar që dy operatorët kanë aplikuar në tender si individual apo grupor si dhe nuk kanë përfitim nga ana e të akuzuarve”, ka thënë  gjykatësi Haraçia.

Sipas aktgjykimit, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Në këtë rast akuzohej edhe Avni Stublla, por në fjalën përfundimtare, prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni është tërhequr nga ndjekja penale ndaj tij.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 mars 2022, Nuhi Shalaj në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit në Komunën e Malishevës, akuzohet se ia ka mundësuar një operatori ekonomik në mënyrë të kundërligjshme ta fitojë një tender për rregullimin e varrezave në lagjen “Hoti” në Komunën e Malishevës, i cili kapë vlerën e afro 20 mijë eurove. Kurse, për mashtrim në prokurim publik akuzohej biznesmeni Avni Stublla, pronari i njërit nga bizneset që fitoi tendering që është objekt i akuzës.

Shalaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, kurse Stublla ngarkohej me veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Asnjë koment

Comments are closed.