Dalin në pah përplasjet e Haskukës me partinë e tij, Vetëvendosjen
Haskuka, në një intervistë për KTV-në, ka thënë se opozitë ka institucionet e shtetit, të cilat, sipas tij, po i bllokojnë punët e mira që po bëhen në Prizren.
Haskuka ka shtuar se kjo aktakuzë është ngritur pa kurrfarë baze ligjore, duke e quajtur komedi të radhës, raporton KTV.
Për këtë ka reaguar edhe dega e PDK-së në Prizren, duke kërkuar menjëherë shkarkimin e këtyre drejtorëve, për të cilët Haskuka thotë se janë të pafajshëm.
Jeton Bytyqi (PDK) thotë se kryetari i komunës nuk është i thirrur t’i komentojë vendimet e institucioneve të drejtësisë.
Por, kjo ka nxjerrë në pah edhe mosmarrëveshjet e Haskukës me partinë e tij, Vetëvendosjen, të cilën ai e akuzon për mos-mbështetje.
Haskuka nuk e sheh këtë si përçarje me partinë e tij dhe shpreson se mbështetja e tyre në të ardhmen do të shtohet.
Asnjë nga anëtarët e Vetëvendosjes nuk ka dashur ta komentojë deklaratën e kryetarit Mytaher Haskuka, për mungesë të mbështetjes nga partia e tij, me arsyen se janë shumë të zënë gjatë ditës.
Të martën, Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Levent Kasemit, drejtor i Shërbimeve Publike nga radhët e Vetëvendosjes, Fejzë Kabashit të LDK-së, drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqirit, drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi, Ganimete Babunës asambliste si dhe Ares Shporta nga shoqëria civile, të gjithë anëtarë të Komisionit për Dhënie në Shfrytëzim të Pronës Publike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare sepse kishin favorizuar ofertuesen F. B., duke i dhënë në shfrytëzim një lokal në Shatërvan, ani se ajo kishte ofruar rreth 20 euro për metër katror, kurse ofertuesi tjetër, në këtë rast i dëmtuari A. D., kishte ofruar rreth 25 euro.