“Dardanët” luajnë në mëngjeset e hershme në Kupën e Botës nëse e kalojnë play-offin
Një ditë pas publikimit të kombëtareve të mundshme me të cilat mund të përballet Kosova nëse e kalon play-offin, tashmë dihen edhe oraret e mundshme të ndeshjeve.
Kjo vlen gjithmonë nëse “Dardanët” arrijnë të kalojnë pengesën e play-offit.
FIFA ka zyrtarizuar oraret e sfidave, të cilat për shkak të zonave kohore do të luhen në mëngjes herët sipas orës lokale.

“Dardanët” fillimisht duhet të kalojnë dy sfida vendimtare në mars: më 26 mars përballen me Sllovakinë në Bratislavë, e më pas, nëse fitojnë, do të takohen me fituesin e duelit Turqi – Rumani për vendin në Botëror.

Në rast se Kosova siguron biletën për turneun, atëherë do të jetë pjesë e një grupi të fortë me Australinë, Paraguain dhe ShBA-në.

Sipas orarit të publikuar nga FIFA, dy ndeshjet e para – ndaj Australisë dhe Paraguait – do të luhen në ora 06:00 të mëngjesit, ndërsa sfida kundër ShBA-së do të nisë në ora 04:00.
Ndeshja e parë e grupit do të zhvillohet në Kanada, në stadiumin “BC Place”, ndërsa dy të tjerat në ShBA, në “Levi’s Stadium” dhe në “So-Fi Stadium”.
Mbetet të shihet nëse do t’a shohim Kosovën në këto përballje.


