24-11-2024

Debati për arsimin degradon në fyerje personale në Kuvendin e Prizrenit

Debati për gjendjen në arsimin prizrenas, i paraparë për mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, që është thirrur sipas kërkesës së PDK-së në opozitë, ka degraduar në fyerje personale mes kuvendarësh të PDK-së e Nismës Socialdemokrate, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Pranverim Berisha, në emër të kuvendarëve të Nismës Socialdemokrate(NS), që edhe menaxhon Drejtorinë e Arsimit, tha se i duket çudi se si njerëz nga PDK, që ka sjellë në këtë gjendje arsimin, të kërkojnë mbledhje të jashtëzakonshme për gjendjen në arsim. Ai në këtë kontekst përmendi disa parregullsi e punësime të bëra në arsim edhe për disa drejtorë të zgjedhur më parë, duke pyetur nëse ata janë apolitik.

Berisha, tha se Simir Krasniqi kishte ardhur në postin e drejtorit në shkollën e mjekësisë nga fshati, vetëm pse ishte i afërt, siç tha me ish-kryetarin e dënuar Ramadan Muja, ndërsa shkolla nuk ka pasur performancë të mirë, duke shtuar numrin e nxënësve, deri në 50 për klasë, me qëllim të përfitimit të votave.

Berisha, po ashtu ka thënë se edhe kuvendari Ilir Baldedaj, kishte punësuar bashkëshorten, si sekretare në shkollën e Arbanës.

Pas, kësaj shefi i grupit të kuvendarëve të PDK-së,  Simir Kransiqi ka reaguar duke thënë se nga ky rast shihet se çfarë përfaqësimi ka në organin më të lartë komunal, duke krahasuar fjalimin e Berishës, si të njeriut analfabet. “Është mjerim për Kuvendin, të dëgjojë një rrugaç që vjen nga Billusha, një maniak”, tha ai, derisa kujtoi se shkolla e mjekësisë kishte rezultate të mira, të cilat shihen edhe nga të dhënat e sistemit arsimor “SMIA”.

Në anën tjetër, Ilir Baldedaj nga AAK-, kritikoi mungesën në mbledhje të kryetarit, të cilin ai e quajti qytetari Haskuka, ndërsa tha se ndoshta ai ende nuk ka mbërritur në Prizren, pasi nuk banon këtu.

Ai ia kujtoi drejtorit të arsimit, Skënder Susuri deklarimin sa i përket panelit intervistues për drejtorë, kur kishte thënë se nuk ka ndërhyrë tek kryetari për çështjen e panelit, por nuk ka pasur pse të ndërhyrje, kur vetë Susuri  ia kishte propozuar panelin, në të cilin një arsimtar ka marrë në pyetje drejtorët.

Mimoza Bushrani nga Vetëvendosja, tha se nuk ka mundur ta besoj se PDK-ja, të thërras mbledhje për arsimin, për shkak të ajo e kishte sjellë në këtë gjendje sa ishte në pushtet, derisa përmendi disa shkelje, duke thënë se gjatë asaj kohe ka pasur edhe dhënie kapari për t’u punësuar në arsim.

Duke folur rreth konkursit të parë të anuluar për drejtorë, ajo tregoi se ka reaguar  për shkak se në këto pozita ishin zgjedhur njerëz nga PDK, por që ishin rekrutuar në Nisma, ndërsa ka menduar se ata nuk bëjnë të drejtojnë shkollat, për shkak se ishin lehtësisht të ndikueshëm.

Sherife Balaj, foli për mungesën e përfaqësimit të femrës, ndërsa përmendi edhe disa mungesa adekuate të mësimdhënësve nëpër shkolla.  Ajo tha se në DKA është punësuar Isuf Kurtaj, një familjar shumë i afërt i Zafir Berishës.

Alush Shala (PDK) ndërkaq tha se disa “fmijaq” në Asamble  përmendin fjalë si plehra, e pronto, ndërsa këto fyerje mund të jenë pikërisht për ata, pasi vetë mund të jenë të tillë, kur dihet se këtu ka njerëz të cilët kanë kontribuuar.

Kuvendari Shukri Çuni, përkrahu fjalimin e kolegut Shala, derisa tha se gjatë mbledhjes më shumë pati fyerje se sa propozime për dalje nga situata. “Me ardhë i përgatitur me letër të shkruar nga dikush tjetër në KK e me ofenduar të tjerët, kjo është e papranueshme. Ne dimë se ka këtu edhe njerëz me vota të blera”, tha ai./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.