23-11-2024

Defekti në rrjet çrregullon furnizimin me ujë në disa pjesë të Prizrenit

Disa pjesë të Prizrenit, përfshirë edhe fshatra të Prizrenit, kanë mbetur pa furnizim  me ujë të pijshëm. Kjo situatë është prej mbrëmë, ndërsa njoftohet se shkak për këtë është një defekt tek gypi transportues, tek lokacioni “Natyra” në Grykën e Lumbardhit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Si pasojë nuk janë duke u furnizuar me ujë lagjet: Ortakolli, Ralini, Bajram Curri, Arbana, Jeni mahalla, Jeta e re si dhe rrugët: Flamuri dhe De Rada. Po ashtu si rrjedhojë e këtij defekti, jashtë furnizimit ndodhen edhe fshati Vlashnje si dhe institucionet : Gjykata, Burgu dhe Stacioni i Policisë ” Alfa “.

Qytetarët Arsim Gashi e Kujtim Krasniqi, nga lagja e “Jeni mahalla” thanë se prej dje në mëngjes nuk kanë ujë dhe së në këtë pjesë, kjo është hera e tretë brenda një muaji, kur përsëritet e njëjta situatë.

“Është e paqartë se si ndodh që kaq shpesh të kemi reduktime. Çfarë janë këta gypa, dhe a ka përgjegjësi në këto raste”, pyesin ata.

Zyrtarë të “Hidroregjionit”, që bën furnizimin me ujë të kësaj pjese, thanë se ekipet e teknike kanë dalë në vendngjarje, dhe pritet që gjatë ditës ta eliminojnë defektin dhe gjendja e furnizimit të normalizohet.

Ndryshe, kohët e fundit që nga stina e verës, Prizreni me rrethinë është ballafaquar me reduktime të shpeshta të ujit të pijes./GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.