“Dëm afro 25 mijë euro”: Kush janë të akuzuarit dhe roli i tyre në rastin e urës në Ngucat që s’u ndërtua kurrë?
Shtatë personave iu është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren lidhur me një urë në fshatin Ngucat të Suharekës, për të cilën ishte ekzekutuar shuma prej afro 25 mijë euro dhe s’ishte ndërtuar kurrë.

Gazeta Insajderi njoftoi se të akuzuarit janë: Berat Kabashi, menaxher i kontratës, Mustafë Buzhala, zyrtar i prokurimit në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Agron Elshani, Hartues i projektit (inxhinier/projektues), Bahti Nebiu, Monitorues i caktuar nga Ministria, Zenun Tolaj, Mbikëqyrës i jashtëm (i përzgjedhur përmes tenderit), Abidin Maliqaj Përfaqësues i operatorit ekonomik “AM GROUP” SHPK.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Insajderi, Berat Kabashi, menaxher i kontratës, ka marrë pjesë në përpilimin e situacionit të parë të përkohshëm, ku janë paraqitur fakte të rreme për ndërtimin e urës metalike. Edhe pse ura nuk ishte paraparë në projekt dhe nuk ishte ndërtuar, ai ka lejuar që ajo të paraqitet si e kryer dhe të procedohet për pagesë. Thuhet gjithashtu se ai nuk ka njoftuar zyrën e prokurimit për ndryshimet dhe ka vepruar duke tejkaluar kompetencat.

Enver Shabani, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, ka përfaqësuar njësinë e kërkesës, e cila, sipas rregullores, duhet të përgatisë detyrën projektuese, specifikimet teknike, paramasën dhe parallogarinë. Aktakuza thotë se ai nuk i ka kryer këto detyra, duke bërë që kontrata të nënshkruhet me mospërputhje midis projektit dhe paramasës. Roli i tij konsiderohet kyç në krijimin e bazës për pagesën e punëve që nuk janë kryer.
Agron Elshani, hartues i projektit, ka hartuar paramasën dhe parallogarinë, në të cilat ka paraparë ndërtimin e urës metalike, ndërsa në projektin zbatues ka qenë e paraparë ndërtimi i murrit mbrojtës. Sipërfaqësisht, aktakuza pretendon se Elshani ka krijuar një mospërputhje të qëllimshme midis projektit dhe paramasës, që pastaj ka mundësuar raportimin e rremë të urës dhe pagesën për të.
Bahti Nebiu, monitorues i Ministrisë (MMPH), sipas aktakuzës ka nënshkruar situacionin e parë të përkohshëm dhe ka marrë pjesë në përgatitjen e certifikatës së pagesës për urën metalike, edhe pse ajo nuk ekzistonte. Si monitorues, ai kishte detyrë të verifikonte punimet, por nuk e ka bërë këtë.
Lexo edhe:
Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj inspektores së Komunës së Prizrenit

Zenun Tolaj, Mbikëqyrës i jashtëm (kompania PMN), ishte përzgjedhur përmes tenderit si mbikëqyrës i projektit. Ai ka nënshkruar raportin e situacionit të parë dhe ka punuar certifikatën e pagesës duke konfirmuar punë që nuk janë kryer (urat metalike). Aktakuza e konsideron bashkëpërgjegjës për lejimin e pagesës së parregullt.
Abidin Maliqaj, përfaqësues i operatorit ekonomik “AM GROUP”, ka kërkuar pagesën për urën metalike si të kryer, në vlerë 24,308 €, edhe pse ura nuk ishte ndërtuar. Ai konsiderohet se ka shkelur rregullat e prokurimit dhe ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga mospërputhjet e krijuara në projekt, paramasë dhe situacione.
