Dënim me burg dhe me gjobë ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë në tentativë
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të enjten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë në tentativë, Xhevat Hysenaj.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Njazi Morina, i akuzuari Xhevat Hysenaj është dënuar me 7 muaj burg efektiv dhe 100 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Krahas kësaj, i akuzuari Hysenaj është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 30 euro.
Lexo edhe:
Alarmante: 5 të vdekur me Covid në rajonin e Prizrenit
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur pasi që paraprakisht në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 9 nëntor 2020, ai e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Anton Hasanaj, i cili ka deklaruar se i njëjti është i mbështetur në shkresat e lëndës.
Ndryshe, në këtë rast për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Arben Gashi, por në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 11 gusht 2017, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është veçuar procedura penale ndaj të akuzuarit Xhevat Hysenaj, me arsyetimin se i njëjti gjendet në burg.
Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 13 janar 2017, Arben Gashi dhe Xhevat Hysenaj akuzohen se me 13 tetor 2014, rreth orës 19:40 minuta, në fshatin Marali, pasi kishin ndarë rolet në mes vete, kishin tentuar të hynin në oborrin e personit Hafir Xhyliqi.
Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari Xhevat Hysenaj kishte kapërcyer rrethojën e oborrit dhe kishte kontrolluar rreth shtëpisë, ndërsa i akuzuari Arben Gashi kishte bërë roje jashtë.
Sipas aktit akuzues, të akuzuarit janë vërejtur nga pronari i shtëpisë Hafir Xhyliqi i cili kishte bërtitur “Policia”, ku më pa si akuzuari Hysenaj ishte zënë nga Policia e Kosovës, kurse i akuzuari Gashi ishte larguar me veturë në drejtim të panjohur.
Me këtë, të akuzuarit Gashi dhe Hysenaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë në tentativë” nga neni 327, paragraf 1, lidhur me nenin 28 dhe 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi