Dënimet për armëmbajtje pa leje të zbehta, ja sa raste janë me burgim
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka gjetur gjashtë raste ku Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë vetëm për përdorim të armës e jo edhe për armëmbajtje pa leje, raporton Ekonomia Online.
Gjatë publikimit të raportit “Dënimet me gjobë – “Leje” për armëmbajtje”, Gzim Shala nga IKD ka thënë se ndonëse me ligj është e rregulluar çështja e armëve pa leje, në praktikë po ndodh e kundërta.
“Duhet të theksuar se çështja e armëmbajtjeve pa leje konsiderohet shqetësuese, ligji ka përcaktuar dënime të konsiderueshme të larta kundër këtyre veprave, por nuk po del kështu në praktikë”, tha ai.
Ndërsa, autorja e këtij raporti, Zamira Krasniqi tha se dënimet për armëmbajtje pa leje kanë qenë kryesisht me gjobë dhe për më tepër, sipas saj nga 147 raste, në vetëm një rast është shqiptuar dënim me burgim.
“Me qëllim që të ofrohet një pasqyrim rreth trajtimit të rasteve të armëmbajtjeve pa leje, IKD ka analizuar 150 aktgjykime të 7 Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës lidhur me këto raste. Përveç këtyre, IKD ka analizuar edhe trajtimin e këtyre rasteve në shkalle të dytë, përmes 46 aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit lidhur me ankesat e Prokurorisë për rastet e armëmbajtjes pa leje. Të gjitha këto aktgjykime te analizuara, përfshijnë tri vitet e fundit, pra, periudhën 2022 – 2024. Përderisa, përzgjedhja e këtyre aktgjykimeve është bërë në mënyre rastësore, pra, prej aktgjykimeve të publikuara në faqet zyrtare të gjykatave”, tha ajo gjatë prezantimit të këtij hulumtimi.
Lidhur me politikën ndëshkimore të këtyre rasteve, nga kjo analizë ajo ka bërë të ditur se rezulton se gjatë kësaj periudhe, dënimet për armëmbajtje pa leje kanë qenë kryesisht me gjobë. Për më tepër, nga 147 raste, ajo theksoi se në vetëm në një rast është shqiptuar dënim me burgim.
“Konkretisht, në 147 rastet e armëmbajtjes pa leje, janë shqiptuara 128 dënime me gjobe, 18 dënime me kusht ndërsa vetëm në një rast është shqiptuar dënim me burgim. Është shprehur dhe në përqindje që bie se vetëm 0.68% të rasteve është shqiptuar dënim me burgim për rastet e armëmbajtjes pa leje. Përkundër asaj që në shumicën dërrmuese të rasteve shqiptohen vetëm gjoba për armëmbajtje pa leje, del të jetë se edhe lartësia e këtyre gjobave mbetet e ulët në krahasim me maksimumin e saj ligjor. Kjo për shkak se përkundër faktik se Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënueshmërinë me gjobë e parasheh të jetë deri në 7 mijë e 500 euro, mesatarja e lartësisë së gjobës ne tri vitet e fundit, del të jetë edhe më e ulët se 1 mije euro”, tha Krasniqi.
Konkretisht, IKD ka gjetur se në vitin 2022 kjo mesatare ishte 623 euro, kurse në vitin 2023 ishte 601 euro. Ndërkaq, mesatare diçka më e lartë rezultoi të ketë qenë në vitin 2024, 857 euro.
“Përveç këtyre që u cekën, ne raport janë paraqitur edhe gjetje në lidhje me cilësimin e veprave penale nga ana e Prokurorit të Shtetit. IKD ka gjetur gjashtë raste ku Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë vetëm për përdorim të armës e jo edhe për armëmbajtje pa leje”, ka thënë Krasniqi.