Dënimi i Pleskoviqit/ Reagon një nga familjet viktimë të serbit që kreu krime lufte
15 vjet burg është dënimi i shqiptuar ndaj Millosh Pleskoviqit, i dyshuar për krime lufte në Prizren.

Pleskoviq akuzohet të ketë kryer krime lufte mes viteve 1998-’99, në zonën e Prizrenit, aty ku bashkë me një grup serbësh të armatosur u mori jetën tre civilëve shqiptarë.

Shumë familje u preken nga krimet e Pleskoviqit, sidomos ato që kishin pjesëtarë në UÇK, njëjtë sikurse familja Krasniqi.
Vëllezërit, Avni dhe Hilmi Krasniqi, ish-ushtarë të UÇK-së, kishin pasur konflikte me të pandehurin Pleskoviq, që në janar të 1998-tës sulmoi dhe theri me thikë Hilmiun.

Pikërisht familja e këtij të fundit ka vlerësuar se dënimi i Pleskoviqit është hap drejt zbardhjes së të vërtetës.
Nipi i Hilmiut, Albini, ka deklaruar për IndeksOnline se vendimi i sotëm është një lehtësim moral për familjen Krasniqi, ndonëse dënimi prej 15 vjetësh, sipas tyre, është më i ulët sesa ai që meriton.
“Familja jonë është prekur drejtpërdrejt nga veprimet e tij brutale. Babai dhe axha jonë kanë qenë viktima të dhunës së tij, të sulmuar fizikisht dhe të lënë me pasoja të rënda shëndetësore e emocionale.
Ajo që kemi kaluar nuk harrohet dhe nuk shlyhet lehtë” ka thënë ai për IndeksOnline.
Për familjen Krasniqi, Pleskoviqi meriton burgim të përjetshëm për frikën që ndër vite ka shkaktuar te shqiptarët e Prizrenit.
“Për ne, ky person e meriton burgim të përjetshëm për gjithçka që ka bërë – jo vetëm ndaj familjes sonë, por edhe ndaj shumë qytetarëve të tjerë në Prizren, të cilët për vite kanë jetuar nën frikë dhe presion për shkak të tij”, shtoi Albin Krasniqi.
Dënimi prej 15 vjetësh, Millosh Pleskoviqit iu shqiptua për vrasjen e B.D, R.D, dhe F.B., më 1 shtator të vitit 1998, afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren.
Pleskoviqi u arrestua në shtator të 2023-tës në Uglar të Gjilanit, teksa një muaj më vonë , Prokuroria Speciale ndaj tij ngriti aktakuzë për krime lufte ndaj popullatës civile.
Çka thotë aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale?
Sipas aktakuzës, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R.D., B.D., F.B së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje.
Derisa ishin duke ecur, ata hasën në një grup prej 7-8 personash, të armatosur, të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore e ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë.
Fillimisht, ata i kishin urdhëruar viktimat që të ndaleshin, pastaj i kishin fyer në gjuhën serbe.
Sipas aktakuzës, në mesin e grupit, viktimat e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, Millosh Pleskoviq.
Në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri B.D., e ka shtyrë më krah të dëmtuarin Xhenger Cana – duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup.
Të dëmtuarit, Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat, tani të ndjerit B.D dhe R.D dhe F.B kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë.
Pas një jave, familjarëve iu lejua të marrim trupat e pajetë nga vendi ku ndodhi tragjedia, vetëm për t’i gjetur ata të gjymtuar: njëri pa njërën këmbë, e tjetri pa kokë./IndeksOnline/