Gjykata Themelore në Prizren, sot tre nga katër ish-policët e akuzuar për marrje ryshfeti, Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, i ka dënuar me nga 12 mijë euro gjobë, ndërsa të akuzuarit Binak Bytyqi, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 13 mijë euro.
Fillimisht, gjykatësja Ajser Skenderi, në aktgjykimin e shpallur, të akuzuarit Avdaj, Bajrami dhe Sylejmani, i ka dënuar me nga gjashtë muaj burgim efektiv, si dhe gjobë në shumë prej katër mijë euro, ndërsa të akuzuarin Bytyqi, po ashtu me gjashtë muaj burgim efektiv, si dhe gjobë prej pesë mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, mbrojtësit e të akuzuarve, i propozuan gjykatës që dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, të zëvendësohet në atë me gjobë.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, e ka aprovuar një propozim të tillë, si dhe dënimin me burgim e ka llogaritur në vlerë prej tetë mijë euro.
Në dënimin unik, të shpallur nga gjykatësja Skënderi, të akuzuarit Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 12 mijë euro, ndërsa të akuzuarit Binak Bytyqi, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 13 mijë euro.
Po ashtu, të akuzuarit, në emër të paushallit gjyqësor, janë obliguar secili veç e veç të paguaj nga 500 euro, si dhe nga 50 euro për secilin për fondin e viktimave.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarve do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, nga 19 dhjetori 2016, deri më 24 mars 2017.
Ajo i ka njoftuar të dënuarit se nëse nuk do ta paguajnë dënimet me gjobë brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, atëherë ky dënim do të zëvendësohet me burgim, ku për çdo 20 euro do të llogaritet një ditë burgim.
Ndryshe, më 24 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.
Në nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar të akuzuarin Neshat Avdaj me dy mijë euro gjobë dhe me burgim efektiv prej një viti, ndërsa të akuzuarit Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, me nga 1500 euro dhe me nga tetë muaj burgim efektiv, të cilët gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin pranuar fajësinë.
Ndërsa, i akuzuari i katërt, Binak Bytyqi, ishte liruar nga akuza për marrje ryshfeti me arsyetimin se nuk është arritur të provohet akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Mirëpo, më 29 mars 2018, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mbrojtësve të të akuzuarve Bajrami dhe Sylejmani, duke kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas vendimit nga Apeli, rasti është kthyer në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimi i gabuar i ligjit penal dhe kundërthënieve në mes dispozitivit dhe arsyetimit.
Në vendimin e Apelit thuhet se gjyqtari i shkallës së parë ka liruar njërin prej të akuzuarve duke pretenduar se masat e fshehta nuk janë zbatuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, mirëpo gjatë arsyetimit thirret në provat që kanë dalë si pasojë e atyre masave të fshehta. /BetimipërDrejtësi