Dënohet i akuzuari tjetër që pranoi se rrejshëm përfitoi statusin e veteranit
Gjykata Themelore në Pejë, të martën, ka shpallur edhe aktgjykimin e tretë, kësaj radhe ndaj të akuzuarit tjetër për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Për një vepër të tillë, akuzohej Albert Krasniqi, i cili pasi që e ka pranuar fajësinë, është dënuar me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e tij, ky dënim i është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 1200 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Ahmet Rexhaj, të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, përkatësisht të bëjë kompensimin e dëmit ndaj Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në shumë prej 3.740 euro.
I akuzuari Krasniqi, është obliguar edhe në pagesën e shpenzimeve të paushallit gjyqësor në shumë prej 20 euro, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.
Në seancën fillestare, prokurorja Lumturije Vuçetaj, ka thënë se e bën plotësimin e aktakuzës, në të cilën do të shtojë dy propozime shtesë, që ndaj të pandehurit të shqiptohet dënimi plotësues, duke e detyruar atë që të kompensojë dëmin, si dhe urdhri që të bëhet publikimi i aktgjykimit.
“Publikimi i aktgjykimeve është në interes të shoqërisë dhe konsideroj që të njëjtat kanë efekt pozitiv dhe preventiv që si i pandehuri ashtu edhe të tjerët mos të kryejnë vepra të kësaj natyre, e bazuar edhe në faktin që dosja e veteranëve konsiderohet si një ndër çështjet më të ndjeshme të shoqërisë tonë, andaj është më se e arsyeshme propozimi i shqiptimit të dënimeve plotësuese’’, ka thënë prokurorja Vuçetaj.
Më pas, pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Krasniqi, ka deklaruar se e pranon fajësinë, duke kërkuar falje për veprën e kryer.
“Po ta kisha ditë që ai dokument është fallc, nuk do t’i kisha kryere këto veprime”, ka thënë Krasniqi.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Vuçetaj, e më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi Rexhaj.
Sipas aktakuzës së ngritur me 21 maj 2019, Albert Krasniqi, akuzohet se me 9 shkurt 2017, në kohë të pacaktuar, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, pranë MPMS-së, e ka vënë në lajthim organin kompetent të lartcekur.
Në aktakuzë thuhet i pandehuri duke prezantuar dokumentet e falsifikuara, ka përfituar pagën e statusit të veteranit luftëtar, me ç’ rast MPMS-së, i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 3.740 euro.
Ndryshe, ky është rasti i tretë, në të cilën Gjykata Themelore në Pejë së bashku me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka zbatuar rekomandimet e IKD-së, për mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës, në trajtimin e rasteve të “veteranëve të rrejshëm”.
Paraprakisht, gjatë së martës, kjo gjykatë e ka dënuar me një vit burgim me kusht, të akuzuarin tjetër për të njëjtën vepër penale, Bali Berisha, për çka ai ishte deklaruar fajtor.
Ndaj të akuzuarit Berisha, është shqiptuar edhe dënimi plotësues, kompensimi i dëmit në vlerë prej 1.190 euro, si dhe urdhri për publikimin e këtij aktgjykimi.
Gjatë kësaj dite, Gjykata Themelore në Pejë, gjithashtu e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, edhe të akuzuarën tjetër, Rifadije Elshani, e cila e kishte pranuar fajësinë se kishte falsifikuar dokumentet për të përfituar nga skema pensionale për veteranët e UÇK-së, por që ka thënë se nuk kishte arritur që të merrte pension.
Por, pasi që ajo nuk kishte arritur të gëzonte të mira materiale, ndaj saj është shqiptuar vetëm dënimi plotësues që ka të bëjë me publikimin e aktgjykimit.
Në këto raste, për dallim nga aktgjykimet e mëparshme, është praktikuar rekomandimi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ky institut, më 8 shtator të këtij viti, ka prezantuar raportin analitik: “Drejtësia “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.
Sipas të gjeturave të këtij raporti, IKD kishte gjetur se sistemi i drejtësisë ka dështuar në mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.
Ndërsa, si rrjedhojë IKD ka rekomanduar që me qëllim të mbrojtjes së buxhetit në trajtimin e këtyre rasteve, Prokuroria e Shtetit të bëjë propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese për kompensimin e dëmit të shkaktuar me përfitimet e kundërligjshme të “veteranëve mashtrues” nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe se gjykatat e Republikës së Kosovës, edhe në mungesë të një propozimi nga Prokurori i Shtetit, kanë kompetencë ligjore që sipas detyrës zyrtare të shqiptojnë dënime plotësuese. /BetimipërDrejtësi