22-11-2024

Dënohet me 24 vite burgim i akuzuari për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë

I akuzuari për vrasjen e ish-gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj, të premten është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 24 vite burgim efektiv.

Ndrecaj u dënua me 23 vite burgim për vrasje të dyfishtë, dhe me 2 vite burgim për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si përfundim, ndaj tij, gjykatësi Gëzim Pozhegu shpalli dënim unik në kohëzgjatje prej 24 vite, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndryshe, në seancën e 24 tetorit, mbrojtësja e të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokatja Fehmije Zhubi, i kishte propozuar gjykatësit Pozhegu, që seanca të shtyhet për një datë tjetër, me arsyetimin se pala e akuzuar kërkon që të hyjë në negocim për marrëveshje, lidhur me pranimin e fajësisë.

Por, “Betimi për Drejtësi”, më pas ka raportuar se negocimin e një marrëveshjeje të tillë e ka refuzuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj.

“Po është e vërtetë që unë nuk kam dhënë leje që të hyhet në negociata për arritjen e një marrëveshje për pranimin e fajësisë. I pandehuri në këtë rast është recidivist. Ai veprën penale e ka kryer një muaj pasi ka dalë nga paraburgimi. Nuk kemi çka të zbulojmë më tepër këtu”, kishte thënë kryeprokurori Selimaj.

Ndërkaq, në seancën e 31 tetorit, Ndrecaj ka pranuar fajësinë, ku tha se vajzën e tij nëntë vjeçare e ka vrarë në mënyrë aksidentale, duke shtuar se i vjen keq për rastin që ka ndodhur.

Prokuroria Themelore Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Ndrecajt, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” nga 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së  viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe ka qëlluar me armë ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.