24-11-2024

Dënohet me 400 euro pasi kishte vjedhur një shishe raki

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të hënën, e ka dënuar me 400 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje, Armend Gashi.

Me aktgjykimin e shpallur nga gjykatësi Lulzim Paçarizi, i akuzuari Gashi, përveç gjobës, ai është i obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 eurosh, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, në afatin prej pesëmbëdhjetë ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar që ishte mbajtur më 10 tetor 2019, i akuzuari  Gashi, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai kishte kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, me arsyetimin se veprën e ka kryer pasi që ka qenë në gjendje të dehur, dhe nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasojat.

Pranimi i fajësisë nuk ishte kundërshtuar nga prokurorja Jusaj, sipas të cilës, një veprim i tillë kishte mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Armend Gashi akuzohet se më 9 nëntor 2017, në qendrën tregtare “Kastrati” në Malishevë, në mënyrë të kundërligjshme merr pasurinë e të dëmtuarit Hajrë Kastrati.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari duke shfrytëzuar situatën e përshtatshme në vendin ku qëndrojnë pijet alkoolike, merr një shishe alkooli, të llojit “Jack Daniels” një litër, dhe del nga qendra tregtare pa e bërë pagesën, dhe të dëmtuarit i shkakton dëm në vlerë të përgjithshme prej 28.95 euro

Asnjë koment

Comments are closed.