Dënohet me burgim ish-polici dhe inspektori Shaqir Lutvija, për torturat ndaj shqiptarëve
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Shaqir Lutvija, është bërë shpallja e akvgjimit.
Ai është dënuar me 10 vjet burgim.

Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në stacionin policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në stacionin policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit e tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore./IO
