24-11-2024

Dënohet me kusht i akuzuari për sulm ndaj zyrtarëve policor

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, të martën, i ka shqiptuar dënim me gjashtë muaj burgim të akuzuarit për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, Batjar Binakaj.

Mirëpo, ky dënim ndaj Binakajt nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti, në periudhën e verifikimit prej një viti, nuk do të kryejë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari Binakaj paraprakisht e pranoi fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

Para shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari Binakaj deklaroi se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer, duke u shtuar se pendohet për rastin që i ka ndodhur dhe njëherit i kërkoi edhe falje të dëmtuarit Afrim Cena.

Po ashtu, Binakaj i kërkoi gjykatës që t’i shqiptojë një dënim sa më të butë, me arsyetimin se është i gjendjes së dobët ekonomike dhe mbajtës i familjes tre anëtarësh.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e kundërshtoi as prokurori i rastit, Ismet Tofaj, i cili tha se deklarimi i të akuzuarit është bërë në mënyrë të lirë dhe të vullnetshme, dhe se një pranim i tillë ka edhe mbështetjen në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2016 ndaj Batjar Binakaj, duke e ngarkuar atë me veprën penale “sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 18 janar 2016, rreth orës 18:00, në fshatin Radost të Rahovecit, nuk kishte respektuar kufizimet e shpejtësisë në vendbanim dhe me automjetin e tipit “Caliber”, lëviz 80 km/h, mbi shpejtësinë e lejuar e cila ishte 50 km/h.

Në aktakuzë, thuhet se i njëjti me këtë shpejtësi parakalon zyrtarët policor e nuk respekton urdhrin-sinjalin e zyrtarëve për ulje të shpejtësisë, ndërsa, pas që policët e ndalin në fshatin Radost dhe i kërkojnë dokumentet personale të automjetit, fillimisht, i akuzuari i ofendon me fjalët: “Ju nuk mund të më dënoni e n**** e policëve”.

E në këtë rast, për ta vënë situatën nën kontroll, policët tentojnë ta arrestojnë të akuzuarin, por i njëjti reziston dhe sulmon me grushte dhe shuplaka zyrtarin policor, të dëmtuarin Afrim Cena dhe nga goditjet i shkakton lëndime të lehta trupore, lëndime këto të konstatuara në ekspertizën mjeko-ligjore të Dr. Flamur Dylhasi.//Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.