23-11-2024

Dënohet me kusht i akuzuari që goditi të miturin me veturë në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me tetë muaj burgim me kusht të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Muharrem Bytyqi.

Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse ai në periudhë verifikimi prej dy vjetësh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Gjykata po ashtu të akuzuarin e ka obliguar të paguaj në emër të paushallit gjyqësor, shumën prej 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të së martës, para se të shpallet aktgjykimi nga gjykatësi i çështjes, Lulzim Paçarizi, i akuzuari Muharrem Bytyqi, e ka pranuar fajësinë.

“E pranoj fajësinë, kjo ka ndodhë, është hera e parë që më ka ndodhur me pas aksident në trafik, më vjen keq për rastin që ka ndodhur dhe në të ardhëm do të jem më i kujdesshëm që kjo të mos përsëritet”, ka thënë i akuzuari, Bytyqi.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e kanë kundërshtuar prokurori Enis Gashi dhe përfaqësuesi ligjor i të miturit A.G, Jeton Gashi.

Ndryshe, më 1 mars 2017, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, Muharrem Bytyqi, i cili akuzohet se më 1 dhjetor 2016, rreth orës 9:45, në rrugën “Rilindja Kombëtare”, në Malishevë, derisa ka qenë duke e drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, e ku ka rrezikuar jetën e të miturit, A.G.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me të arritur në afërsi të pastiqerisë “Melo”, në Malishevë, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe rrethanave të rrugës, në pamundësi  për tu ndalur, me pjesën e pasme anësore të krahut të majtë të automjetit e ka goditur këmbësorin A.G, i cili ishte duke e kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë.

Po ashtu, sipas aktakuzës pas goditjes nga automjeti, i mituri A.G, sipas ekspertizës mjekoligjore pëson lëndime të rënda trupore.

E me këto veprime, Bytyqi akuzohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, par.8 lidhur me par.6, të KPRK-së.

Asnjë koment

Comments are closed.