24-11-2024

Dënohet ofiqari i Mamushës dhe i akuzuari për falsifikim të dokumenteve

Gjykata Themelore në Prizren, sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ofiqarit në Komunën e Mamushës, Mirat Shala, i cili akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar, si dhe Arif Mazrekut, i akuzuar për legalizim të përmbajtjes së rreme.

Fillimisht, Shala u dënua me pesë muaj burg, mirëpo me pëlqimin e tij, dënimi me burg u zëvendësua në atë me gjobë në shumën prej 1200 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe i akuzuari Mazreku fillimisht u dënua me burgim, në kohëzgjatje prej katër muaj, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit, dënimi me burg zëvendësua në atë me gjobë në shumën prej 800 euro.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur nga gjykatësi Artan Sejrani, pasi që të akuzuarit paraprakisht kanë arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Prokurori i rastit, Metush Biraj deklaroi se të akuzuarit kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë në mënyrë vullnetare dhe pa presion, duke i propozuar gjykatës që të vendosë në bazë të saj me rastin e shqiptimit të dënimit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Besim Koqina ka kërkuar nga gjykata që me pëlqimin e klientit të tij, dënimi me burg, i arritur në bazë të marrëveshjes, të shndërrohet në atë me gjobë, si dhe të njëjtit t’ia mundësoj që ta paguajë me këste.

Kërkesë të tillë për klientin e tij pati edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mazreku, avokatja Besa Krajku.

Kërkesat e tyre u aprovuan nga gjykatësi Sejrani, i cili bëri të ditur se të akuzuarit janë të obliguar t’i paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor secili nga 100 euro.

I njëjti i ka njoftuar palët prezentë se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 gusht 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Mirat Shala akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, në dokumentin zyrtar, nuk i shënon të dhënat e duhura, në atë mënyrë që më 2 shkurt 2016, si ofiqar në Komunën e Mamushës, e përpilon aktvdekjen për të njërin R.M.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që ai e paraqet si trashëgimtar bashkëshorten e ndjerë H.M, bijtë e tij Isak, Izet, Sadri dhe Gjelal Mazrek, pa e përfshirë si trashëgimtar edhe birin tjetër të tij, këtu të dëmtuarin Zylfi Shanli, i cili dokument në ndërkohë është përdorur për provë për trashëgimi te noteri.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, e paraparë ne nenin 434 ,paragrafi 1 e Kodit Penal te Kosovës.

Aktakuza gjithashtu e ngarkon edhe të pandehurin tjetër Arif Mazrek, i cili akuzohet se ka vënë në lajthitje organin kompetent, në atë mënyrë që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pa vërtetë.

Mazrek akuzohet se pas 2 shkurt 2016, shkon ne zyrën e noteres në Mamushë, e dorëzon aktvdekjen, me të dhënat e përshkruara me lartë, në bazë të së cilës noterja sjell aktvendim trashëgimor, pa qenë i përfshirë në trashëgimi i dëmtuari Zylfi Shanli.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizim i përmbajtjes se rreme” e parapare ne nenin 403, paragrafi 1 e Kodit Penal te Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.